Trepça ka vazhduar dominimin në elitën e basketbollit të Kosovës, duke u shpallur sërish kampione. Të mërkurën mbrëma, në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, mitrovicasit mposhtën Bashkimin me rezultat 98:78 në ndeshjen e katërt finale, duke e mbyllur serinë me 4:0.
Ky është titulli i shtatë në histori të klubit dhe i treti rresht, duke e ngjitur Trepçën në pozitën e skuadrës së dytë më të suksesshme në Kosovë, pas Sigal Prishtinës me 14 tituj. Me këtë triumf, Trepça kalon Pejën, e cila ka 6 tituj. Titujt e fituar nga Trepça janë në vitet 1993, 2000, 2001, 2012, 2024, 2025 dhe 2026.
Në serinë finale, Trepça fitoi dy ndeshjet e para në palestrën “Minatori” në Mitrovicë me 84:79 dhe 93:83, përpara një audience me mbi tre mijë shikues. Ndeshja e tretë në Prizren u mbyll 84:80 për mitrovicasit, duke i afruar ata shumë pranë titullit.
Finalja e katërt nisi më mirë për Bashkimin, që krijoi epërsi të shpejtë 9:0 dhe më pas 11:2, por Trepça reagoi dhe e barazoi rezultatin 13:13 pesë minuta para fundit të çerekut të parë. Mitrovicasit kaluan në epërsi dhe nuk e lanë më deri në fund. Çerekët mbyllën: 30:22, 52:40, 77:63 dhe 98:78.
Në rrugën drejt finales, Trepça eliminoi Pejën në gjysmëfinale, ndërsa Bashkimi kaloi Borën e Prishtinës. Ky sezon konfirmon edhe një herë supremacinë e “xehetarëve”, të cilët fituan edhe Kupën e Kosovës për herë të pestë rresht dhe të nëntën në histori.





