Manchester City ka humbur garën për titullin e Ligës Premier, pas barazimit 1:1 në transfertë ndaj Bournemouthit, rezultat që i dha fund edhe matematikisht shpresave për kampionat, ndërsa Arsenali u shpall kampion pas 22 vitesh pritje.
Pas ndeshjes, atmosfera në konferencën për shtyp ishte e ngarkuar, sidomos pas raportimeve mediatike që sugjeronin një largim të mundshëm të Pep Guardiolës nga klubi në fund të sezonit, pavarësisht rezultateve të Cityt.
Trajneri spanjoll reagoi duke theksuar se ka ende kontratë me klubin dhe se çdo vendim për të ardhmen do të merret pas përfundimit të sezonit.
“Mund të them vetëm se kam edhe një vit në kontratë. Nga përvoja ime, kur gjëra të tilla dalin gjatë sezonit, ato nuk ndihmojnë dhe mund të ndikojnë në rezultate,” u shpreh Guardiola.
Ai mohoi se ka marrë një vendim përfundimtar për largim dhe konfirmoi se fillimisht do të bisedojë me drejtuesit e klubit.
“Personi i parë me të cilin do të flas është presidenti i klubit. Kemi vendosur më herët që në fund të sezonit do të ulemi dhe do të vendosim së bashku. Nuk do të flas për vendimin tim para se të diskutoj me klubin, lojtarët dhe stafin,” shtoi ai.
Në fund, Guardiola nuk kurseu fjalët e respektit për rivalët, duke e uruar Arsenalin për titullin kampion dhe punën e Mikel Artetës.
“Në emër të Manchester Cityt, i përgëzoj Arsenalin dhe Mikel Artetën. E merituan plotësisht titullin. Arteta ka bërë një punë të jashtëzakonshme,” deklaroi trajneri i Cityt.





