Stafi teknik i Kombëtares së Kosovës në volejboll për femra është kompletuar me emërimin e trajnerit spanjoll Alberto Ruiz Rubio, i cili i është bashkuar përfaqësueses në kuadër të përgatitjeve për garat ndërkombëtare.
Rubio vjen me një përvojë të rëndësishme në volejbollin evropian, duke qenë pjesë e klubit gjerman VfB Suhl LOTTO Thüringen gjatë sezonit të fundit. Me këtë skuadër, ai ka arritur suksese të mëdha, përfshirë titullin e Bundesligës gjermane dhe triumfin në Kupën e Gjermanisë.
Me ardhjen e tij, shtabi teknik i Kombëtares së Kosovës në volejboll për femra tashmë është i plotësuar, me synimin për rritje të nivelit të përgatitjeve dhe paraqitjeve në arenën ndërkombëtare.
Ekipi kombëtar udhëhiqet nga përzgjedhësi Lorik Ilazi, i cili tashmë do të ketë në dispozicion edhe bashkëpunëtorët vendorë Ylli Kadriu dhe Vlora Berisha, si dhe trajnerin spanjoll Rubio, që pritet të sjellë eksperiencë shtesë në punën e ekipit.





