Granit Xhaka ka reaguar menjëherë pas shpalljes së Arsenalit kampion në Ligën Premier, duke ndarë një mesazh emocional për ish-klubin e tij dhe trajnerin Mikel Arteta, njeriun që sipas tij e riktheu skuadrën në majën e futbollit anglez pas më shumë se dy dekadash pritje.
Mesfushori shqiptar publikoi në rrjetet sociale një fotografi ku shihet duke përqafuar Artetën, ndërsa fjalët e tij u kthyen shpejt në qendër të vëmendjes te tifozët e “Topçinjve”.
Xhaka vlerësoi punën e trajnerit spanjoll, duke theksuar se suksesi i Arsenalit është rezultat i vizionit, durimit dhe besimit që Arteta ka ndërtuar ndër vite te skuadra londineze.
“Një ekip i veçantë, lojtarë të shkëlqyer dhe një klub që nuk ndaloi kurrë së besuari. Por kjo është për shkakun tënd, Mikel. Të gjithë ata që dyshuan, jepjani këtij njeriu respektin që meriton. Urime gjithë familjes së Arsenalit”, ka shkruar Xhaka.
Ish-kapiteni i Arsenalit ishte një nga figurat më të rëndësishme të klubit gjatë viteve të fundit dhe një nga lojtarët që përjetoi periudhat më të vështira para rikthimit të ekipit në elitën e futbollit anglez. Edhe pse gjatë kohës së tij në Londër fitoi disa trofe, titulli i Premier League mbeti ëndrra e parealizuar.
Megjithatë, lidhja e Xhakës me Arsenalin vazhdon të mbetet e fortë. Reagimi i tij pas triumfit është pritur me shumë emocione nga tifozët, të cilët e kanë përshëndetur mesazhin si dëshmi të respektit dhe dashurisë që ai ende ruan për klubin.
Arsenali siguroi titullin kampion pas një sezoni të jashtëzakonshëm nën drejtimin e Artetës, duke i dhënë fund pritjes së gjatë për trofeun më të madh në futbollin anglez.





