Një video e publikuar dje ku shihet ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca duke qeshur dhe duke thënë fjalën “frizerkë” bëri bujë të madhe dje në rrjet.
E pas kësaj, Konjufca deklaroi se këtë nuk e tha duke iu referuar ish-presidentes Vjosa Osmani, por që po i përgjigjej një “pseudo-gazetari” i pranishëm në takim.
E pas kësaj ka reaguar edhe bashkëshorti i Vjosa Osmanit, Prindon Sadriu.
Përmes një shkrimi të gjatë ai foli mbi dinjitetin dhe për arritjet e Vjosa Osmanit. Pas kësaj ai tha se ky rast flet shumë për Glauk Konjufcën dhe për mentalitetin e tij “karateist” sesa për Osmanin dhe frizeret.
“Sepse ajo që zbuloi kjo “tallje” është kjo: në botën tënde mizogjeniste, ti mund të hysh në një sallon të frizereve, të kërkosh votën e grave dhe, në të njëjtin hap e çast, profesionin e tyre ta përdorësh si armë kundër një gruaje tjetër. Kërkon mbështetjen e tyre, por nuk u jep respektin tënd. Ky nuk është qëndrim politik. Është interes i maskuar si përçmim”.
“Ti i kërkove Kosovës të të besojë pushtetin, Glauk. Por pushteti në duart e dikujt që tall gratë që përfaqëson, nënçmon punën e njerëzve që pretendon se u shërben dhe qesh me ambicien e tyre, nuk është lidership. Është paralajmërim”, shtoi ai.





