Ideja që UEFA Champions League të transmetohet falas në të ardhmen ka nisur të qarkullojë si një skenar revolucionar në futbollin europian, por aktualisht nuk është pjesë e agjendës zyrtare të UEFA-s. Sipas raportimeve të fundit, kjo ide nuk përjashtohet plotësisht në plan afatgjatë, por nuk ka asnjë hap konkret drejt realizimit të saj.
Plani i diskutuar parashikon krijimin e një platforme globale streaming, ku ndeshjet e Champions League, por edhe të UEFA Europa League dhe UEFA Conference League, do të transmetoheshin falas për publikun. Modeli do të bazohej kryesisht në reklama, duke ndryshuar rrënjësisht sistemin aktual të të drejtave televizive dhe abonimeve.
Një nga mbështetësit kryesorë të kësaj ideje është presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, i cili thuhet se ka diskutuar konceptin edhe me drejtuesin e UEFA-s, Aleksander Čeferin.
Megjithatë, realiteti aktual është shumë larg këtij skenari. UEFA ka nënshkruar kontrata afatgjata dhe shumë fitimprurëse për të drejtat televizive të kompeticioneve evropiane, të cilat përbëjnë një nga burimet kryesore të të ardhurave të saj.
Ndryshimi i këtij sistemi do të kërkonte prishje kontratash, pagesa të mëdha penalitetesh dhe përballje ligjore që mund të zgjasin për vite të tëra. Për këtë arsye, ideja nuk është pjesë e diskutimeve zyrtare të UEFA-s dhe nuk pritet të trajtohet në kongreset e ardhshme.
Edhe pse për momentin mbetet vetëm një koncept teorik, modeli i transmetimit falas me bazë reklamat mund të rikthehet në diskutim në të ardhmen, në një epokë ku futbolli evropian po kërkon mënyra të reja për të zgjeruar audiencën globale.
Për momentin, Champions League mbetet e lidhur ngushtë me sistemin tradicional të transmetimeve me pagesë.





