Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat preliminare për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet për muajin mars 2026, ku vërehet rritje e numrit të lindjeve dhe vdekjeve, ndërsa rënie e kurorëzimeve dhe shkurorëzimeve krahasuar me muajin shkurt.
Sipas ASK-së, gjatë muajit mars janë regjistruar gjithsej 2 mijë e 314 lindje brenda dhe jashtë Kosovës. Prej tyre, 1 mijë e 211 janë meshkuj dhe 1 mijë e 103 femra.
“Në muajin mars 2026 kemi rritje të numrit të lindjeve rreth 15,6% krahasuar me muajin shkurt 2026”, thuhet në raport.
Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 932 raste të vdekjeve, prej të cilave 524 meshkuj dhe 408 femra.
“Krahasuar me muajin shkurt 2026, në muajin mars 2026 janë regjistruar 3,4% raste të vdekjeve më shumë”, njofton ASK.
Sa i përket kurorëzimeve, në muajin mars janë regjistruar gjithsej 932 raste, ndërsa krahasuar me muajin paraprak është shënuar rënie prej 3,8%.
Po ashtu, ASK bën të ditur se gjatë marsit janë regjistruar 133 raste të shkurorëzimeve në Kosovë.
“Krahasuar me muajin shkurt 2026 ka rënie të numrit të shkurorëzimeve në muajin mars 2026 për 1,5%”, thuhet në njoftim.
Sipas ASK-së, këto të dhëna janë publikuar duke u bazuar në të dhënat administrative të siguruara nga Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës.





