Edhe gjatë kësaj jave, vendi ynë do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike dhe masave më të ftohta për këtë periudhë kohore.
Në Kosovë priten vranësira të shpeshta dhe intervale me diell, ku herë pas here do të ketë reshje lokale shiu, të cilat mund të jenë edhe në formë rrebeshesh. Po ashtu, mund të ketë ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.
Të mërkurën do të vijojë moti me diell dhe vranësira, ku në disa lokalitete mund të ketë reshje të izoluara shiu.
Nga dita e enjte deri në fundjavë parashikohen vranësira të shpeshta dhe intervale me diell, ku herë pas here priten reshje lokale shiu, të cilat në momente të caktuara do të jenë në formë rrebeshesh. Vranësirat dhe reshjet pritet të intensifikohen duke filluar nga dita e premte, duke mos përjashtuar mundësinë që të shoqërohen edhe me shkarkesa rrufesh
Era do të fryjë nga veriu dhe verilindja, ndërsa herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme në pjesën e dytë të javës, me shpejtësi prej 15 deri në 50 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 7 deri në 13°C, ndërsa ato maksimale nga 15 deri në 24°C. /MeteoKosova/





