Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe numri dy në listën e kësaj partie për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, Uran Ismaili, ka komentuar zhvillimet e ditëve të fundit në Skenderaj dhe dërgimin e njësive speciale, duke e cilësuar këtë veprim si qasje autoritare nga kryeministri në detyrë dhe operacion politik.
Sipas Ismailit, dërgimi i njësisë speciale në Skenderaj nuk ka qenë në përputhje me situatën në terren, pasi, sipas tij, bëhej fjalë për një incident të izoluar dhe jo për një situatë të vazhdueshme dhune.
“Me u përdor njësia speciale, me u dërgu në Skenderaj, me e rrethu Skenderajn deri në orën 2 të natës, është pikërisht tendencë e një sistemi autoritar, sepse aty nuk ka pasur dhunë të vazhdueshme. Ka pasur një incident”, tha Ismaili.
Ai shtoi se, sipas bindjes së tij, e gjithë situata kishte prapavijë politike. “Për mua ka qenë 100 për qind operacion politik”, u shpreh ai.
Ismaili tha se kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk e njeh Drenicën dhe Skenderajn, duke shtuar se shumë nga qytetarët që kishin dalë atë ditë kishin treguar respekt ndaj Policisë së Kosovës.
“Zoti Kurti nuk e njeh Drenicën, nuk e njeh Skenderajn. Ai nuk e di që shumica e atyre njerëzve që kanë dalë atë ditë kanë qenë njerëz, shumë prej tyre ish-ushtarë që kanë rrezikuar jetën e tyre dhe, kur e kanë parë Policinë e Kosovës, i kanë pritur me ujë dhe i kanë pritur si është më së miri, sepse ata nuk kanë dalë kundër shtetit të Kosovës”, tha Ismaili.
Ai shtoi se me këtë veprim është tentuar të krijohet perceptimi se në Drenicë po sfidohet shteti, gjë që sipas tij nuk qëndron dhe tregon mungesë njohjeje për këtë rajon.





