Giorgio Chiellini, drejtori i Strategjisë së futbollit te Juventusi, ka deklaruar se “bardhezinjtë po i marrin gjërat ditë pas dite” pas humbjes 2-0 ndaj Fiorentinës. Ky rezultat i la ata vetëm dy pikë larg një vendi që dërgon në Ligën e Kampionëve, me vetëm 90 minuta për t’u luajtur deri në fund të sezonit.
Juventusi rrezikon seriozisht të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve pas disfatës në “Allianz Stadium”. Raportime nga Italia sugjerojnë se pronari i klubit, John Elkann, mund të vendosë ndryshime në menaxhim për sezonin 2026/27, përfshirë edhe drejtorin ekzekutiv Damien Comolli, i cili ka vetëm një vit në Torino. Vendimet pritet të merren pas ndeshjes së fundit të sezonit, derbit të qytetit kundër Torinos të dielën.
“Dje ishte patjetër një ditë negative. Ne i marrim gjërat ditë pas dite dhe po presim ta përfundojmë sezonin”, u shpreh Chiellini gjatë një eventi të hënën, siç raportohet nga TMW.
Ironikisht, Fiorentina e mposhti Juventusin me Fabio Paraticin – ish-drejtori i “Zonjës së Vjetër”, tani ekzekutiv te Viola – i cili u rikthye në Torino si kundërshtar për herë të parë që nga largimi i tij në vitin 2021.
“Kam pasur fatin të punoj me Paraticin, prandaj mendoj se ata janë në duar të mira për të tashmen dhe të ardhmen. Ai mund të krijojë diçka të rëndësishme; e ka rikthyer ekipin në rrugën e duhur në një sezon të vështirë”, shtoi Chiellini.
Për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, Juventusi duhet ta mposhtë Torinon, por njëkohësisht duhet të shpresojë që Milani, Roma dhe Como të mos fitojnë ndeshjet e tyre ndaj Cagliarit, Veronës dhe Cremoneses.





