Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka vazhduar ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i takon futbollistit më të dalluar të javës në elitën e futbollit kosovar.
Për javën e 34-t të këtij edicioni, ky vlerësim i është ndarë futbollistit të Llapit, Arianit Hasani, pas paraqitjes së shkëlqyer dhe kontributit të madh në fitoren e skuadrës së tij ndaj SC Gjilanit.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Pas marrjes së çmimit, Hasani u shpreh i lumtur për suksesin e arritur dhe rëndësinë e fitores për skuadrën e tij.
“E kemi ditur që na pret një ndeshje shumë e vështirë. Jemi përgatitur gjatë gjithë javës për këtë përballje dhe presioni ka qenë shumë i madh, por jam i lumtur që morëm tri pikë dhe dolëm faqebardhë”.
“Ssynimet tona kanë qenë të jemi në top 3. Normalisht, renditja aktuale nuk është ajo që e dëshirojmë dhe shpresojmë t’i shmangemi edhe barazhit”.
“E dimë që kemi ekip të mirë dhe nuk e meritojmë pozitën ku ndodhemi aktualisht. I falënderoj bashkëlojtarët dhe trajnerin, sepse pa ta nuk do të mund ta fitoja këtë çmim. Shpresoj të vazhdojmë me rezultate pozitive edhe në ndeshjet e ardhshme. Gjithashtu, jam shumë i lumtur edhe në aspektin personal për këtë vlerësim”, deklaroi Hasani për faqen zyrtare të FFK-së.





