Trajneri i Real Madrid, Alvaro Arbeloa, iu përgjigj deklaratave të Kylian Mbappe pas fitores 2-0 ndaj Real Oviedo, duke mbrojtur vendimet e tij dhe duke sqaruar situatën rreth aktivizimit të sulmuesit francez.
Arbeloa fillimisht shpjegoi arsyet pse Mbappe nuk ishte titullar në këtë përballje.
“Është e qartë për mua se një lojtar që nuk mundi të udhëtonte në ndeshjen e fundit nuk mund të fillonte sot. Nuk ishte finale dhe luajmë sërish pas tri ditësh. Ishte një vendim normal”, deklaroi trajneri madrilen.
Tekniku spanjoll mohoi gjithashtu pretendimet se i kishte thënë Mbappes se ai është sulmuesi i katërt në skuadër.
“Nuk i thashë Mbappes se është sulmuesi im i katërt. Ndoshta ai nuk e ka kuptuar mirë. Si mund ta thosha një gjë të tillë? Nuk di çfarë të them”, u shpreh Arbeloa.
Duke folur për zgjedhjet e tij teknike, ai shtoi se aktivizimi i Mbappes nga stoli ishte alternativa më e mirë në atë moment.
“Mbappe tha se mund të luante si titullar? Gjëja më e mirë ishte të vinte nga stoli. Katër ditë më parë ai nuk mund të ishte as në stol. Ndërkohë, Gonzalo Garcia e meritonte të luante sot”, theksoi trajneri i Real Madridit.
Në fund, Arbeloa tregoi qartë autoritetin e tij në drejtimin e skuadrës.
“Unë jam trajneri dhe unë vendos se kush luan dhe kush jo, pavarësisht emrit që ka lojtari”, përfundoi ai.
Deklaratat kanë shtuar diskutimet mbi raportet dhe dinamikat brenda skuadrës madrilene, pavarësisht se Real Madridi mori një fitore të qetë ndaj Real Oviedos.





