Merita Shala, njëra nga ekspertet kryesore në zhvillimin e hershëm të fëmijëve dhe edukimin parashkollor në Kosovë, në emisionin “LIBERO” ka bërë një thirrje për prindërit që të tregojnë kujdes të shtuar në vitet e para të jetës së fëmijëve, duke rekomanduar që ata të mos dërgohen në çerdhe në moshën 0-2 vjeç.
Sipas saj, kjo periudhë është vendimtare për zhvillimin emocional dhe krijimin e lidhjes së sigurt mes fëmijës dhe nënës.
“…Deri në moshën 2 vjeç, mundësisht, të mos shkojnë në institucione parashkollore apo në çerdhe sepse imagjinoni është një individ shumë i brishtë që ka nevojë për prekjen e lëkurës me nënën e vet dhe këtë prekje lëkure në momentin që shkon në çerdhe nuk e merr nga edukatorja dhe shpeshherë pikërisht kjo mungesë e këtij stabiliteti ose modeli të qetësimit ose atashimit, nëse është mungesë në vitet e para të jetës, prezenca e kësaj mungese do të lërë pasoja gjatë gjithë harkut jetësor të individit… ndikon edhe më vonë në cilësinë e formimit të marrëdhënieve që fëmija do të ketë në vazhdimësi me individët e tjerë gjatë gjithë jetës…”, tha ajo.
Shala theksoi se vitet e para të jetës kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin emocional, social dhe psikologjik të fëmijës, duke shtuar se afërsia dhe kujdesi prindëror janë thelbësore për krijimin e sigurisë emocionale te të vegjlit.
Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm:





