Ish-deputetja e Vetëvendosjes, Arjeta Fejza, ka rrëfyer për incidentin që ndodhi në Skënderaj. Ajo ka thënë se ishte duke pirë kafe me zëvendësministrin Hysni Mehanin, kur ky i fundit u sulmua.
Fejza ka deklaruar Kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, iu afrua Mehajt pa asnjë lloj komunikimi paraprak dhe se e sulmoi fillimisht me telefon, pastaj me dorë dhe gotë.
“Sot rreth mesditës, bashkë me zëvendësministrin Mehani ishim duke pirë kafë ne një kafiteritë në qendër të Skënderajt….Pa asnjë lloj komunikimi paraprak me z.Lushtaku, ai u afrua dhe e sulmoi zëvendësministrin Mehani. Fillimisht me telefon, pastaj me dorë, pastaj edhe me gotë”, ka deklaruar Fejza.
Sipas saj, kur Sekretari i Qendrës së VV’së atje, Bahri Zabeli, ndërhyu për ta qetësuar situatën, ai u sulmua edhe nga persona të tjerë që thotë se ishin me Lushtakun në atë moment.
“Kur Sekretari i Qendrës sonë, Bahri Zabeli tentoi me ndërhy për me qetësu situatën për me i nda, ai u sulmua edhe nga disa persona tjerë, të cilët nuk i njoh por ishin bashkë me z. Lushtaku në atë moment”, deklaroi ajo.
Sipas saj, gjithçka ka ndodhur pa asnjë provokim, teksa këtë e ka cilësuar sulm mbi demokracinë.
“Tema s’ka pas të bëj fare as me Skënderaj. Gjithçka ka ndodhë pa asnjë provokim dhe pa asnjë reagim prej anës sonë. Unë po ju siguroj, unë kam qenë aty, ne kemi qenë duke bisedu për një çështje që s’ka lidhje as me Skënderaj e as fare nuk është përmend emri i tij”, shtoi Fejza.
Ajo tha se Mehani po merr trajtim në Spitalin e Mitrovicës./





