Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka deklaruar se pret të vazhdojë në stolin e “The Reds” edhe sezonin e ardhshëm, pavarësisht kritikave dhe rezultateve zhgënjyese në këtë edicion të Premier League.
Holandezi është përballur me presion në rritje nga tifozët në Anfield, ndërsa skuadra po lufton për të siguruar një vend në UEFA Champions League.
Pas një sezoni debutues fantastik, ku arriti të fitojë titullin e Premier League, këtë sezon Liverpool ka pësuar 11 humbje në kampionat, duke sjellë pakënaqësi të dukshme te tifozët.
“Unë nuk mendoj se ky vendim varet vetëm nga unë, por kam çdo arsye të besoj se do të jem trajner i Liverpoolit edhe sezonin e ardhshëm”, deklaroi Slot.
“Së pari, kam kontratë me klubin dhe, së dyti, nga të gjitha bisedat që kemi zhvilluar, kjo është mënyra si e shoh situatën”, shtoi ai.
Megjithëse raportimet sugjerojnë se drejtuesit e klubit nuk po mendojnë për ndryshim trajneri, atmosfera rreth skuadrës ka ndryshuar ndjeshëm për shkak të rezultateve të dobëta.
Arne Slot pranoi gjithashtu se skuadra nuk ka arritur nivelin e sezonit të kaluar dhe se kritikat janë të kuptueshme.
“Nëse e krahason këtë sezon me të kaluarin, atëherë padyshim që nuk ka qenë një sezon i mirë dhe është normale të ketë kritika”, përfundoi trajneri holandez





