Përfaqësuesit e Finlandës në Eurovisionin e këtij viti, Linda Lampenius dhe Pete Parkkonen, kanë përfunduar në qendër të vëmendjes së mediave serbe, pas raportimeve se dyshja ka shmangur komunikimin me gazetarë nga Serbia gjatë aktiviteteve zyrtare të festivalit.
Sipas Nova.rs, gjatë parakalimit në tapetin kryesor më 10 maj, gazetarët serbë u përpoqën të merrnin një deklaratë, por artistët finlandezë thuhet se u përgjigjën se nuk u nevojitet promovim në Serbi. I njëjti medium shkruan se, pas këmbënguljes së ekipit të Radiotelevizionit të Serbisë (RTS), Linda dhe Pete pranuan të përgjigjen vetëm në dy pyetje. Raportohet se përgjigjet ishin të shkurtra dhe se anëtarë të delegacionit finlandez komunikonin me gjeste se sa pyetje kishin mbetur, duke e kufizuar intervistën.
Edhe pse nuk ka një sqarim zyrtar nga vetë përfaqësuesit finlandezë, mediat serbe po e lidhin këtë sjellje me të kaluarën artistike të Linda Lampenius. Sipas pretendimeve të tyre, arsyeja lidhet me faktin se ajo ka performuar më herët për trupat e NATO-s në Kosovë, si dhe për forcat detare amerikane në Evropë dhe Afrikë — një element që, sipas këtyre mediave, ka ndikuar negativisht në perceptimin e publikut serb ndaj saj.
Në të njëjtën kohë, mediumi serb Telegraf.rs ka hapur një tjetër temë, duke raportuar për zërat e publikut se Finlanda po gëzon trajtim të privilegjuar krahasuar me disa konkurrentë të tjerë. Sipas këtij raportimi, finlandezëve u lejohet përdorimi i instrumenteve live në skenë, pasi Lampenius realizon një solo me violinë gjatë performancës.
Në kontrast me këtë, mediat serbe përmendin se përfaqësueses zvicerane Veronica Fusaro thuhet se nuk i është lejuar të luajë live me kitarë, gjë që ka nxitur diskutime mbi standardet e zbatimit të rregullave për të gjithë konkurrentët.
Pavarësisht debateve që po e shoqërojnë paraqitjen e tyre, Finlanda u kualifikua në finale gjatë natës së parë të gjysmëfinales (të martën) dhe vazhdon të përmendet si një nga favoritët për të fituar Eurovisionin, i cili këtë vit po mbahet në Vjenë. Finalja zhvillohet të shtunën.
Ndërkohë, Shqipëria pritet të ngjitet në skenë n] gjysmëfinalen e dytë të enjten me këngën “Nan”, të interpretuar nga artisti Alis.





