Carlo Ancelotti i ka dhënë mbështetje të fortë Jose Mourinho për një rikthim të mundshëm te Real Madrid CF, duke e konsideruar trajnerin portugez si njeriun e duhur për ta rikthyer stabilitetin në “Santiago Bernabeu”.
Teksa klubi madrilen po kalon një periudhë tranzicioni dhe spekulimet për trajnerin e ardhshëm vazhdojnë, Ancelotti është shfaqur si një nga zërat më të fortë në favor të rikthimit të Mourinhos.
Trajneri italian, i cili në vitin 2013 mori drejtimin e Real Madridit pikërisht pas Mourinhos dhe më pas fitoi “La Decima”-n në UEFA Champions League, beson se portugezi ende ka cilësitë e nevojshme për të udhëhequr klubin më kërkues në botë.
“Nëse do të kthehet te Real Madridi, do të jem vërtet i lumtur për të. Ai mund të bëjë një punë fantastike, ashtu siç e ka bërë gjithmonë në të gjitha klubet ku ka qenë”, deklaroi Ancelotti.
Italiani reagoi gjithashtu ndaj raportimeve që sugjeronin se Xabi Alonso e kishte konsideruar grupin e lojtarëve të Realit si “të pamundur për t’u stërvitur”.
Ancelotti i hodhi poshtë kategorikisht këto pretendime, duke mbrojtur profesionalizmin e lojtarëve madrilenë.
“Jo, sepse kjo e bën të duket sikur lojtarët te Real Madridi bëjnë çfarë të duan. Nuk është e vërtetë. Absolutisht marrëzi”, u shpreh ai.
“Nuk është e vërtetë. Kur isha aty, unë kisha një ide dhe përpiqesha ta diskutoja me lojtarët, pastaj shihja nëse pajtoheshin apo jo. Edhe në finalen e Ligës së Kampionëve vepruam kështu”.
Sipas Ancelottit, çelësi i suksesit për Mourinhon në një mandat të mundshëm të dytë te Real Madridi do të ishte menaxhimi i grupit dhe marrëdhënia me lojtarët, po aq sa aspekti taktik.





