Portieri i Kosovës, Arijanet Muric, duket se do të rikthehet te Ipswich Town pas përfundimit të aventurës së tij te Sassuolo në Serie A.
Gardiani kosovar iu bashkua skuadrës italiane verën e kaluar në formë huazimi, ndërsa marrëveshja përfshinte edhe mundësinë e blerjes për shumën prej 10 milionë eurosh në fund të sezonit.
Gjatë kohës së kaluar në Itali, Muric pati disa paraqitje të mira, ku spikati sidomos në sfidën ndaj Juventus, e mbyllur 1:1, në të cilën ai ndali një penallti në minutat e fundit të takimit.
Deri tani, 27-vjeçari ka zhvilluar 32 ndeshje me Sassuolon dhe në gjashtë prej tyre ka arritur ta mbajë portën të paprekur.
Megjithatë, portieri ka bërë të ditur se nuk planifikon të vazhdojë me klubin italian pas përfundimit të kampionatit, ku Sassuolo ka edhe dy ndeshje ndaj Lecce dhe Parma.
Muric kishte mbetur jashtë formacionit për tri takime me radhë, por u rikthye në portë në sfidën kundër Torino javën e kaluar.
“Jam mirënjohës për këtë sezon, por nuk kam ndërmend të luaj për Sassuolon sezonin e ardhshëm. Me përfundimin e huazimit, përfundon edhe koha ime këtu”.
“Ishte një vit pozitiv dhe e shijova, por e kam njoftuar klubin se nuk dua të qëndroj këtu pas këtij sezoni, për arsye personale”, ka thënë portieri kosovar për Gianluca Di Marzio.
Sipas raportimeve, Muric mund të largohet edhe nga Ipswich gjatë afatit veror, ndërsa më herët ishte përmendur interesimi i Juventusit për shërbimet e tij.





