Manuel Neuer pritet të vazhdojë historinë e tij të jashtëzakonshme me Bayern Munich, pasi mediat gjermane raportojnë se palët kanë arritur marrëveshje të plotë për vazhdimin e kontratës.
Kapiteni i bavarezëve, i cili së fundmi festoi 40-vjetorin, duket i vendosur të mbetet pjesë e klubit edhe për një sezon tjetër, duke e zgjatur qëndrimin në “Allianz Arena” deri në verën e vitit 2027.
Pas muajsh spekulimesh për të ardhmen e tij, situata tashmë është qartësuar. Sipas raportimeve nga Sky Germany, Bayern dhe Neuer kanë finalizuar detajet e marrëveshjes së re, e cila pritet të zyrtarizohet para ndeshjes së fundit në shtëpi të sezonit në Bundesliga ndaj Kolnit.
Që nga transferimi i tij nga Schalke në vitin 2011, Neuer është kthyer në një simbol të klubit bavarez dhe konsiderohet nga shumë tifozë e ekspertë si një ndër portierët më të mëdhenj në historinë e futbollit. Me fanellën e Bayernit ai ka fituar gjithçka, duke ndërtuar një epokë të artë mes shtyllave.
Megjithatë, rinovimi nuk ka ardhur pa kompromis. Një nga pikat kryesore të negociatave ka qenë paga e portierit veteran. Aktualisht, Neuer përfiton rreth 20 milionë euro bruto në sezon së bashku me bonuset, por marrëveshja e re parashikon një ulje të konsiderueshme të pagës për të lehtësuar strukturën financiare të klubit.
Për Bayernin, vazhdimi i bashkëpunimit me Neuer shihet si një garanci stabiliteti dhe eksperience, ndërsa për vetë portierin gjerman kjo është një mundësi për të shtuar edhe më shumë trofe e rekorde në fundin e karrierës së tij legjendare.





