Trajneri i FC Barcelona, Hansi Flick, ka konfirmuar se do të vazhdojë kontratën me klubin katalanas edhe për të paktën dy sezone të tjera.
Tekniku gjerman po feston titullin e dytë radhazi në La Liga me Barcelonën, duke kurorëzuar dy sezone shumë të suksesshme në krye të skuadrës.
Prej javësh, mediat spanjolle kanë raportuar se marrëveshja mes palëve ishte arritur, ndërsa agjenti i Flick, Pini Zahavi, ka qenë së fundmi në Barcelonë për të finalizuar detajet.
Kontrata aktuale e trajnerit skadonte në vitin 2027, por marrëveshja e re do ta mbajë atë në “Camp Nou” deri në vitin 2028, me opsion për një sezon shtesë.
Duke folur para ndeshjes ndaj Deportivo Alavés, Flick u shpreh i kënaqur me marrëveshjen e re dhe theksoi se kjo i jep stabilitet projektit të Barcelonës.
“Është mirë për ekipin tim dhe për ne që të kemi besimin për të punuar edhe disa vite të tjera së bashku. Për shumë trajnerë një kontratë tre, katër apo pesëvjeçare është ideale, por mendoj se edhe për Barcelonën kjo formulë është e duhura. Do të qëndrojmë deri në vitin 2028 dhe më pas ekziston mundësia për një vit tjetër. Do të shohim nëse gjithçka do të vazhdojë në mënyrën e duhur”, deklaroi Flick.
Ai shtoi se objektivi kryesor i klubit mbetet rikthimi në majën e futbollit evropian.
“Kjo është një sfidë për të punuar edhe më fort në dy vitet e ardhshme. Ëndrra e madhe për të gjithë te Barcelona është Liga e Kampionëve”.
Nën drejtimin e Flick, FC Barcelona ka fituar pesë nga gjashtë trofetë vendorë të mundshëm në dy sezonet e fundit, duke dështuar vetëm në Kupën e Mbretit këtë sezon, ku u eliminua në gjysmëfinale nga Atlético Madrid.
Tashmë, fokusi i skuadrës katalanase mbetet triumfi në UEFA Champions League, një objektiv që lojtarët dhe stafi teknik e kanë përmendur vazhdimisht gjatë festimeve të fundit për titullin kampion.





