Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka zbuluar se nuk mori pjesë në ceremoninë e çmimeve të UNFP-së të hënën, pasi preferoi të qëndronte në shtëpi për të analizuar Arsenal, në prag të fazës vendimtare të sezonit për PSG-në.
Tekniku spanjoll foli për mungesën e tij gjatë konferencës për media para ndeshjes ndaj RC Lens, duke theksuar se fokusi i tij i plotë mbetet te përgatitja e skuadrës për sfidat e ardhshme.
“Unë nuk shkoj kurrë në këso lloj ceremonish. Preferoj të qëndroj në shtëpi dhe të studioj Arsenalin”, deklaroi Luis Enrique.
Megjithëse mungoi në ceremoninë prestigjioze, ai përgëzoi lojtarët e tij për çmimet e fituara dhe pati fjalë vlerësuese për trajnerin e Lensit, Pierre Sage, pas sezonit mbresëlënës që ka zhvilluar.
“Ajo që ka bërë Pierre Sage është e jashtëzakonshme. Ai e meriton këtë çmim si trajneri më i mirë i sezonit”, shtoi ai.
Paris Saint-Germain po përgatitet për finalen e Ligës së Kampionëve që do të zhvillohet më vonë këtë muaj, ndërsa është shumë pranë sigurimit të një tjetër titulli në Ligue 1.





