Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë muajit qershor, si përgatitje për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ku do të garojë në Ligën B.
Dardanët do të përballen fillimisht me Kombëtaren e Çekisë, më 31 maj, në stadiumin “Epet Arena” në Pragë. Kjo ndeshje pritet të jetë një test i rëndësishëm për ekipin e drejtuar nga përzgjedhësi Franco Foda, përballë një kundërshtari cilësor evropian. Çekia siguroi pjesëmarrjen në Botërorin 2026, duke mposhtur Danimarkën pas penalltive në play-off-in evropian, dhe aktualisht renditet e 41-ta në ranglistën e FIFA-s.
Kosova dhe Çekia janë përballur dy herë më parë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020: më 7 shtator 2019, Kosova fitoi 2:1 në “Fadil Vokrri”, ndërsa më 14 nëntor 2019, në Plzen, humbi po 2:1.
Ndeshja e dytë miqësore e Dardanëve do të zhvillohet më 7 qershor kundër Andorrës, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kosova dhe Andorra janë përballur dy herë në kualifikimet për Euro 2024, duke barazuar 1:1 në Prishtinë dhe duke fituar 3:0 në Andorra La Vella.
Këto dy ndeshje do t’i shërbejnë stafit teknik për të vazhduar ndërtimin e skuadrës për takimet garuese të Ligës B, ku Kosova bën pjesë në Grupin B3 me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën. Dardanët do të grumbullohen në hotel “Emerald” më 27 maj.





