Skuadra e Detroit Pistons ka shënuar fitore 107-97 ndaj Cleveland Cavaliers në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të “play-off”-it në Konferencën e Lindjes, duke marrë epërsinë 2-0 në seri.
Takimi ishte mjaft rivalizues gjatë pjesës më të madhe të lojës, por në momentet vendimtare vendasit u treguan më të saktë dhe arritën një fitore të merituar.
Më i dalluari te Detroit ishte Cade Cunningham me 25 pikë, ndërsa kontribut të rëndësishëm dha edhe Tobias Harris me 21 pikë. Te Cleveland nuk mjaftuan 31 pikët e Donovan Mitchell, pasi Cavaliers pësuan humbjen e dytë radhazi. Dy sfidat e ardhshme do të zhvillohen në fushën e Cleveland.
Fitore të rëndësishme ka regjistruar edhe Oklahoma City Thunder, që triumfoi 125-107 ndaj Los Angeles Lakers në gjysmëfinalen e dytë të Konferencës së Perëndimit, duke udhëhequr gjithashtu 2-0 serinë.
Skuadra kampione zhvilloi një paraqitje bindëse, duke dominuar në pjesën më të madhe të takimit. Për Lakers, më efikasi ishte Austin Reaves me 31 pikë, por ato mbetën vetëm për statistikë.
Te Oklahoma u dalluan gjashtë basketbollistë me mbi 10 pikë, ndërsa më të mirët ishin Shai Gilgeous-Alexander dhe Chet Holmgren, që realizuan nga 22 pikë secili.





