Ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar lidhur me shpalljen e konkursit për tri pozita në Ministrinë e Drejtësisë.
Bajrami përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se shpallja e rreth 20 pozitave të larta udhëheqëse në prag të shpërndarjes së Kuvendit, nuk paska qenë fundi.
Sipas saj edhe drejtësia shpallë konkurse në kundërshtim me ligjin.
Postimi i saj i plotë:
Nuk paska qenë fundi
Pas shpalljes së rreth 20 pozitave të larta udhëheqëse në prag të shpërndarjes së Kuvendit, qenkan shpallë edhe 3 pozita të tjera nga Ministria e Drejtësisë:
1. Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas,
2. Drejtor i Përgjithshëm në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar,
3. Drejtor i Përgjithshëm në Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë,
Pra, edhe drejtësia, shpallë konkurse në kundërshtim me Ligjin,
Institucionet që lidhen me ndihmën juridike, me pasurinë e sekuestruar dhe me inspektimin brenda Ministrisë së Drejtësisë, u bënë pjesë e valës se konkurseve joligjore, dmth. zgjedhin udhëheqës në mënyrë joligjore detyrë e të cilëve është zbatimi i ligjit.
Ligji për Qeverinë është i qartë.
Neni 31 – Kufizimet e Qeverisë në dorëheqje përcakton se Qeveria në dorëheqje:
“Nuk inicion procedura të reja për emërimin në pozitat publike, për emërimin e të cilave është kompetente në bazë të ligjeve përkatëse.”
Qeveria në dorëheqje nuk është qeveri me mandat të plotë. Kjo qeveri nuk ka legjitimitet sepse me vetëdëshirë e ka dërgu vendin në zgjedhje dhe tani duhet të sillet konform kufizimeve ligjore.
Ajo duhet të kryejë vetëm punët e domosdoshme, jo të hapë konkurse për pozita kyçe në administratë, agjenci, drejtësi e institucione publike. Institucionet nuk janë pronë partie, drejtësia nuk është strehë për militantë dhe shteti nuk është zyrë punësimi për pushtetin në ikje.
Qeveria e re duhet t’i ndalë menjëherë këto procese, t’i shqyrtojë të gjitha konkurset e shpallura në këtë periudhë dhe të sigurojë që pozitat publike të plotësohen vetëm me njerëz profesionistë, të pavarur dhe me integritet.





