Një pjesë gjithnjë e më e madhe e tifozëve të Real Madrid duket se e ka humbur durimin me yllin francez Kylian Mbappé.
Sipas raportimeve, një peticion online me titullin “Mbappé Out” ka mbledhur tashmë mbi 1.5 milion nënshkrime, duke reflektuar pakënaqësinë në rritje ndaj sulmuesit.
Kjo situatë vjen në një periudhë të vështirë për klubin madrilen. Reali renditet në vendin e dytë në kampionat, me diferencë të konsiderueshme nga Barcelona në La Liga, ndërsa në UEFA Champions League u eliminua në çerekfinale nga Bayern Munich.
Ndërkohë, Mbappé është bërë edhe qendër e polemikave për shkak të një incidenti të raportuar në stërvitje. Sipas gazetarëve Guillermo Rai dhe Mario Cortegana të The Athletic, sulmuesi francez është përfshirë në një përplasje me një anëtar të stafit gjatë një ushtrimi.
Burimet bëjnë të ditur se Mbappé ka reaguar me zemërim dhe ka përdorur gjuhë ofenduese ndaj pjesëtarit të stafit, i cili po vepronte si asistent-gjyqtar dhe e kishte sinjalizuar në pozicion jashtë loje.
Ky episod ka shtuar edhe më shumë presionin mbi lojtarin dhe ka nxitur debat rreth formës dhe sjelljes së tij, në një moment kur Real Madridi po kërkon reagim pas një sezoni nën pritshmëri.





