Të mërkurën dhe të enjten zhvillohen ndeshjet e dyta të serisë gjysmëfinale të play-off-it në Superligën e Kosovës në hendboll për meshkuj.
Të mërkurën nga ora 19:30, në palestrën Shani Nushi përballen Vëllaznimi dhe Kastrioti. Ndeshjen e parë në Ferizaj, Kastrioti e fitoi bindshëm me rezultat 41:27 dhe udhëton në Gjakovë me synimin për ta siguruar finalen. Skuadra nga Ferizaj, që tashmë ka fituar Kupën, e mbylli sezonin e rregullt në vendin e parë, ndërsa Vëllaznimi në të katërtin.
Të enjten nga ora 20:00 zhvillohet përballja ndërmjet Besa Famgas dhe Rahoveci në palestrën Karagaçi. Ndeshja pritet të jetë shumë e fortë, pasi Rahoveci e fitoi takimin e parë me rezultat të ngushtë 32:30. Edhe kjo përballje pritet të jetë e baraspeshuar dhe me rivalitet të madh.
Për t’u kualifikuar në finale, skuadrave u nevojiten dy fitore. Nëse është e nevojshme, ndeshjet e treta vendimtare do të zhvillohen në Ferizaj dhe Rahovec.
Ndërkohë, të mërkurën nga ora 19:30 luhet edhe ndeshja e mbetur e kampionatit të rregullt ndërmjet Trepça dhe Prishtina. Trepça renditet e gjashta me 18 pikë, ndërsa Prishtina e shtata me 17 pikë, me të dy skuadrat që synojnë t’i shmangen pozitës së parafundit në tabelë.





