Inter ka bërë të qartë qëndrimin e tij sa i përket së ardhmes së Alessandro Bastoni, duke vendosur një çmim të lartë që e bën të vështirë çdo tentativë të Barcelona për ta transferuar gjatë verës.
Sipas raportimeve nga Fabrizio Romano, klubi zikaltër nuk pranon të negociojë për më pak se 70 milionë euro për mbrojtësin italian, i cili konsiderohet një nga shtyllat kryesore të skuadrës.
Interi do të shqyrtonte largimin e tij vetëm nëse vetë lojtari kërkon një transferim, por deri tani Bastoni nuk ka dhënë asnjë sinjal për një lëvizje të tillë, pavarësisht interesimit të vazhdueshëm nga Barcelona.
Në anën tjetër, situata financiare e klubit katalanas e bën këtë operacion edhe më të komplikuar, duke e kthyer transferimin në një objektiv të vështirë për këtë merkato.
Barcelona mbetet në kërkim të një qendërmbrojtësi cilësor për të përforcuar prapavijën, me Bastonin në krye të listës. Megjithatë, në radar janë edhe alternativa si Jon Martin i Real Sociedad dhe Cristian Romero i Tottenham Hotspur.
Për momentin, gjithçka mbetet nën kontrollin e Interit, i cili nuk ka ndërmend të heqë dorë nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm pa një ofertë të jashtëzakonshme.





