Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas raportit të fundit të një organizate britanike për të drejtat e njeriut, duke thënë se ai konfirmon shqetësimet e tyre për shkelje të të drejtave themelore në kuadër të Dhomave të Specializuara.
Në reagim, OVL-UÇK thekson se ndër vite ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të ngritur zërin kundër padrejtësive ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas organizatës, këto përpjekje kanë përfshirë letra drejtuar institucioneve ndërkombëtare, takime me ambasadorë dhe personalitete të rëndësishme, vizita në Parlamentin Evropian, Parlamentin e Zvicrës, takim në Vatikan, protesta kombëtare dhe peticione qytetare.
Organizata u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Reagimi i plotë:
OVL UÇK rikujton se përpjekjet tona të pandërprera ndër vite, përmes qindra letrave drejtuar institucioneve ndërkombëtare, takimeve me ambasadorë të shteteve mike, takime me personalitete të rëndësishme ndërkombëtare, takimeve në Parlamentin Evropian dhe në Parlamentin e Zvicrës, takimit në Vatikan, si dhe përmes protestave kombëtare si dhe në qendra evropiane dhe së fundmi edhe përmes peticionit qytetar, kanë pasur një qëllim të vetëm: ngritjen e zërit kundër padrejtësive dhe shkeljeve që po ndodhin në proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Shqetësimet tona të vazhdueshme, të ngritura me këmbëngulje në çdo forum të mundshëm, sot po gjejnë jehonë edhe në arenën ndërkombëtare. Raporti i fundit i publikuar nga një organizatë britanike për të drejtat e njeriut, i cili ngre shqetësime serioze për shkelje të të drejtave themelore në kuadër të Dhomave të Specializuara, përbën një konfirmim të qartë se alarmet tona kanë qenë të drejta dhe të argumentuara.
OVL UÇK vlerëson se ky zhvillim është një moment i rëndësishëm për ndërgjegjësimin ndërkombëtar lidhur me mënyrën e funksionimit të kësaj gjykate dhe trajtimin e padrejtë ndaj çlirimtarëve. Drejtësia selektive dhe standardet e dyfishta nuk mund të ndërtojnë besim dhe as të sjellin drejtësi të vërtetë.
I bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të marrin seriozisht këto gjetje dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së do të vazhdojë angazhimin e saj të palëkundur në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe të dinjitetit të bashkëluftëtarëve tanë, duke mos u ndalur përballë asnjë padrejtësie.





