Mbrojtësi i Kosovës, Lumbardh Dellova, pritet të largohet nga CSKA Sofia gjatë afatit kalimtar të verës, pasi ndaj tij kanë mbërritur dy oferta konkrete.
Sipas mediave bullgare, një ofertë vjen nga MLS në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa tjetra nga Turqia. Në mesin e klubeve turke që kanë shfaqur interes për 27-vjeçarin përmenden Çaykur Rizespor, që garon në elitë, si dhe Amedspor, skuadër që aktualisht renditet e treta dhe synon ngjitjen në Superligën turke.
Po ashtu, raportohet edhe për interesim nga një klub rus, por mungesa e një pasaporte tjetër përveç asaj të Kosovës e vështirëson një transferim të tillë.
Dellova ka kontratë me klubin nga Sofja deri më 30 qershor 2027, ndërsa në marrëveshjen aktuale përfshihet një klauzolë lirimi prej 900 mijë eurosh. Kjo shumë konsiderohet e përballueshme për klubet e interesuara.
Gjatë afatit kalimtar të dimrit, Al Najma kishte shfaqur gatishmëri për të paguar klauzolën dhe i kishte ofruar lojtarit një pagë të lartë, por mbrojtësi kosovar e refuzoi ofertën, duke preferuar të qëndrojë në Evropë.
Në muajt e fundit janë zhvilluar bisedime për rinovimin e kontratës me kushte të përmirësuara dhe pa klauzolë lirimi, por deri më tani nuk është arritur marrëveshje.
Sipas mediumit “7 dni sport”, për më shumë se një vit, përfaqësuesit e lojtarit kanë ushtruar presion ndaj drejtuesve të klubit duke sjellë oferta nga skuadra të tjera, çka e bën edhe më të mundshëm një largim të Dellovës në verë.






