20.3 C
Pristina
Wednesday, April 29, 2026

Ish-kryediplomati shqiptar: Kosova po futet në rreth ciklik krizash, për Presidentin s’ka garanci as pas zgjedhjeve

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo u shpreh kritik ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë, ku vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme për shkak se partitë politike nuk arritën dakordësi për të zgjedhur Presidentin e ri.

Në një intervistë për News24, ai theksoi se partitë politike janë sjellë në mënyrë të papërgjegjshme përballë votuesve të tyre, duke e drejtuar gishtin tek të gjitha palët. Kritik u shpreh edhe ndaj partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se, si partia me shumicën, duhet të bënte kompromis.

“Po sillen si aktorë të papërgjegjshëm në një moment shumë delikat për vetë Kosovën. Nuk ka sesi të shpjegohet ndryshe që klasa politike ka arritur në këtë nivel sa të mos përfaqësojë as minimumin e  ndërgjegjes politike për të gjithë ata shqiptarë që i votojnë. Nuk dua të përdor terma kategorikë për të cilësuar këtë sjellje të tyre, por është veprim i pandërgjegjshëm që nuk mund të kuptohet ndryshe veçse me instikte dhe nuk kanë të bëjnë me politikën e ndërgjegjshme dhe qytetare.”, u shpreh Milo.

Sipas tij, Kosova po futet në një rreth krizash, duke shtuar se edhe me mbajtjen e zgjedhjeve të reja, nuk ka garanci se çështja do të zgjidhet.

“Kushdo që të jetë në pushtet duhet të ketë aftësinë për të bërë kompromiset e duhura edhe për të qeverisur dhe pa, në momente të caktuara, me një vullnet që nuk të çon asgjëkundi. Prandaj është e pakuptueshme sjellja e tyre dhe është për të ardhur keq. Nuk mund të them se fajin e ka njëra palë, përgjithësisht të dyja palët kanë përgjegjësi. Por ai që ka shumicën patjetër që ka përgjegjësi edhe më të madhe. Pasi LVV ka fituar 51 përqind të votave dhe ka marrë mandat të qartë për të qeverisur vendin, në çështjen e presidentit duhet të gjente kompromis me njërën nga dy forcat e tjera, për t’i siguruar vetes dhe Kosovës një qeverisje normale.

Kosova po futet në një rreth ciklik krizash dhe nuk ka garanci, që edhe pas këtyre zgjedhjeve, do të mund të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme. Mund të komplikohet edhe më keq, se partitë politike do të paraqiten para zgjedhësve me çfarë alternativash. I kanë konsumuar të gjithë argumentet në zgjidhjet e mëparshme. Duke munguar një qeverisje normale, programet e tyre dhe interesat vihen në pikëpyetje.”, shtoi ai.

I pyetur nëse do të ishte dashur ndërhyrja e ndërkombëtarëve, ai theksoi se ata janë të lodhur me Kosovën.

“Ndërkombëtarët duket se janë lodhur duke u marrë me Kosovën, ky është lajm tjetër i hidhur i keq. Se fakti që i kanë konsumuar këto këshillime që herë pas here i janë bërë politikës kosovare, dhe kryeministri nuk dëgjon dhe të bëjë kompromis e të lërë pe, në rastin konkret për të marrë edhe presidentin, kjo dëshmon se ata janë lodhur dhe nuk mund të them nëse ata do të vazhdojnë të këshillojnë apo do ta lënë Kosovën në rrjedhje të lirë. “, shtoi Milo.

Komentoi gjithashtu edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar se janë prej kohësh në një “zgrip” ndërsa shtoi se vështirë se do të rregullohen. Fajtorë për këtë situatë ai bëri dy udhëheqësit e dy vendeve.

“Marrëdhënia mes dy vendeve janë futur prej kohësh në një zgrip dhe që vështirë do të mund të rregullohen. Edhe nëse do të ketë rregullim do të jetë i cekët dhe sipërfaqësor, marrëdhëniet janë krisur dhe individët që kryesojnë qeveritë, përpos që kanë vlera që i ndajnë bashkë, kanë edhe shumë të meta që i ndajnë bashkë.  Janë çështje të mëdha konceptuale në politikë që i kanë ndarë, edhe dallime karakteriale, mënyra qeverisjeje apo edhe ambicie për të patur një rol përtej kufijve shtetërore të gjithë secilit vend në emër të nacionalizmit shqiptar”, u shpreh Milo.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA