Kongresmeni Ritchie Torres dhe përfaqësuesit Gregory W. Meeks, Michael McCaul dhe Brian Mast, të cilët pasuan Eliot Engel si kryetar të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kanë iniciuar një legjislacion për të emëruar ndërtesën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Kosovë, si “Ndërtesa Eliot L. Engel”.
Kjo nismë dypartiake, sipas njoftimit synon të nderojë trashëgiminë e Engel në mbështetje të popullit të Kosovës.
“Ne jemi mirënjohës ndaj anëtarëve të Kongresit për sponsorizimin e legjislacionit për riemërtimin e ndërtesës së Ambasadës Amerikane,” tha familja Engel. “Ne pamë se si përpjekjet e tij bënë ndryshim për miliona kosovarë dhe jemi të nderuar që ambasada për të cilën ai preu shiritin mund të mbajë emrin e tij. Është një nderim i merituar për përkushtimin e tij në forcimin e lidhjeve të forta mes popullit të Kosovës dhe kombit tonë.”
“Eliot Engel nuk ishte thjesht një anëtar i Kongresit; ai ishte një hero për shumë njerëz,” tha kongresmeni Torres. Ai u shpreh se me angazhimin e tij të palëkundur, u shpërtuan jetë në Kosovë.
“Jetët e qindra mijëra njerëzve u shpëtuan nga angazhimi i tij i palëkundur. Ai luajti një rol kyç në mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës nga spastrimi etnik dhe gjenocidi nga regjimi vrastar i Slobodan Milosheviqit. Për dekada, ai ishte një institucion në Bronx dhe një luftëtar i fuqishëm për pavarësinë e demokracisë më të re në botë: Kosovës. Trashëgimia që ai lë pas do të zgjasë për breza dhe ky ligj do të sigurojë që puna e tij të nderohet përgjithmonë”, shtoi ai.
Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, Bryan Mast tha se nuk ka mënyrë më të përshtatshme për të nderuar trashëgiminë e Eliot Engel.
“Si kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ai ishte një mbrojtës i fortë i lirisë dhe demokracisë në Kosovë dhe në mbarë botën. Ky legjislacion do ta gdhendë atë trashëgimi në histori për brezat që do të vijnë.”
Projektligji i është referuar Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Engel vdiq disa javë më parë në moshën 79-vjeçare. Ai ishte anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, dhe një figurë e njohur e politikës amerikane me një karrierë mbi tre dekada në Kongres.






