Pas PDK-së, edhe AAK-ja ka kërkuar që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura për presidente.
Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, tha se kandidatja e VV-së për shefe të shtetit, po bëhet pjesë e një procesi i cili po rrënon rendin kushtetues.
“Nuk do të lejojmë që të dëmtohet më tej rendi kushtetues, nuk mund dhe nuk duhet të legjitimohet logjika parti-shtet për shkak se ne nuk jemi në një shtet monist, një partiak. Demokracia nuk funksionon mbi imponim, por mbi marrëveshje e kompromis dhe respekt njëri ndaj tjetrit. Dje, Kurti foli gjatë e përdori foltoren e kuvendit për një diskutim politik brenda partiak, ai foli edhe për 3 emra të cilët do të ishin unifikues, megjithatë, qytetarët e panë qartë se ai nuk u konsultua me partitë të cilat i thërriste për diskutim, por në mënyrë arbitrare i solli në kuvend dy emra të tjerë. Kjo vetëm unifikuese nuk është por përjashtuese”, deklaroi Tahiri.
“Ne si AAK besojmë se Kosova meriton më shumë, propozimi ynë i parë është që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura e saj për shkak se po bëhet pjesë e një procesi politik, i një procesi i cili po rrënon rendin kushtetues. Në rrethana tepër të vështira nuk kemi të bëjmë as me unifikim as diskutim, por përjashtim”, theksoi ai.






