Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit paraqet mundësi për të mbështetur një figurë nga shoqëria civile, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se kandidatura e Deride Rushitit përfaqëson një mundësi të rëndësishme për vendin.
“Në përputhje me këtë nen, si dhe kandidatura, sot kemi shansin dhe po ashtu mundësinë të votojmë për një zonjë, për një grua të dëshmuar që vjen nga shoqëria civile, një aktiviste e palodhshme e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. E njohur besoj për të gjithë shoqërinë kosovare, për mbarë opinionin politik”.
Kollçaku vlerësoi angazhimin profesional dhe bashkëpunimin e gjatë me kandidaten.
“Duke supozuar që kjo zonjë që quhet Doktoresha Feride Rushiti, që po ashtu e kam edhe kolege, mjeke, një bashkëpunëtore shumëvjeçare kur i përket traumës, mund t’i ftoj të gjithë duke supozuar dhe duke e ditur që me vite ka pas mbështetje nga shumë individë, nga të gjitha subjektet politike si një grua jashtë politikës, por shumë e angazhuar për të drejtat e njeriut”, u shpreh Mulhaxha.
Ajo kujtoi edhe nominimin e saj për Çmimin Nobel për Paqe.
“Mos të harrojmë, e nominuar për çmimin Nobel për Paqe bashkë me organizatën e saj, që ka luftuar për kauzën më të ndjeshme në botë kur asnjë institucion nuk e ka ngrit zërin, për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”.
Në fund, Kollçaku bëri thirrje për votim të përbashkët të të gjitha partive.
“Andaj, vetëm një mesazh e kam: i ftoj të gjithë kolegët deputetë, pozitë dhe opozitë, sot ta mbështesim Doktoreshën Feride Rushiti, t’i japim zgjidhje kësaj krize institucionale. Ne tashmë e kemi dëshmuar se nuk e kemi për poste, ne tashmë e kemi dëshmuar që ne nuk luftojmë që t’i marrim këto karrige të pushtetit. Kjo pozitë edhe në të ardhmen duhet të jetë jashtëpartiake, sipas mendimit tim, dhe mos të jetë më asnjëherë burrë për të, si të them, i cili është pengesë në konsolidimin e institucioneve”, theksoi ajo.
Ajo përmbylli deklaratën duke kërkuar mbështetje të gjerë parlamentare.
“Sot kemi mundësi këtë ditë të bukur ta përmbyllim me një vendim edhe më të bukur, ku ne dalim me një emër, kemi dalë me një emër, kemi dy kandidate, por mbetet me u dëshmuar që Doktoresha Feride ka mbështetje mbarëkombëtare, andaj ju ftoj të gjithë të votoni për zonjën Feride”, shtoi ajo.






