Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka njoftuar për vendosjen e masave të reja për kategorizimin e produkteve të qumështit në tregun e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media, Muja bëri të ditur se qëllimi kryesor është mbrojtja e konsumatorit dhe prodhuesve vendas.
Ministri theksoi se nga tani e tutje, secili produkt i qumështit duhet të kategorizohet drejt dhe nuk do të lejohet më përzierja e qumështit të freskët me produkte që përmbajnë pluhur apo vaj palme.
“Zbatimi i masave: Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) është autorizuar që t’i zbatojë këto masa në mënyrë të rreptë dhe proporcionale.
Afati kohor: Këto masa do të jenë në fuqi për një periudhë fillestare prej 90 ditësh, me mundësi vazhdimi.
Sipas Mujës, këto vendime janë në interes të mbrojtjes së qumështit të freskët dhe ekonomive familjare në Kosovë”.
Ministri Muja u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë në të gjithë territorin e Kosovës që t’i përmbahen me përpikëri dispozitave të reja.
Ai gjithashtu falënderoi mediat për ngritjen e kësaj çështjeje, duke kërkuar ndihmën e tyre në shpërndarjen e këtij mesazhi te qytetarët.
“Është në interes të mbrojtjes së konsumatorit dhe qumështit të freskët,” përfundoi Muja.





