Me rastin e Ditës Botërore për Siguri dhe Shëndet në Punë, institucionet e Kosovës kanë theksuar nevojën për forcimin e inspektoratit dhe përmirësimin e kushteve të punës, duke paralajmëruar edhe ndryshime ligjore dhe masa konkrete për parandalimin e aksidenteve në vendin e punës, raporton Ekonomia Online.
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se fokusi i tij ka qenë forcimi i inspektoratit dhe ndryshimi i qasjes ndaj bizneseve.
“Dy gjëra i kam pasur me rëndësi kur e kam marrë nën mbikëqyrje këtë ministri në raport me inspektoratin. E para, që inspektorati të ketë dinjitet, të forcohet, të ndjejë mbështetjen e shtetit vetë. Dhe e dyta, që inspektorati të mos shihet si çekiç ndaj bizneseve në Kosovë, por të shihet si partner ndaj bizneseve në Kosovë, por që natyrisht, pashmangshëm, qytetarin ta ketë prioritet mbi të gjitha”, tha ai.
Ai shtoi se Qeveria është duke ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është duke u angazhuar në përforcimin e sistemit kombëtar për siguri dhe shëndet në punë. Këtë vit ne kemi planifikuar ndryshim-plotësimin e Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, ndryshimin e rregullores për certifikimin dhe licencimin e personave fizikë dhe juridikë, rritjen, themelimin e Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë si mekanizëm trepalësh me ekspertë, fillimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të personave fizikë dhe juridikë që operojnë në këtë fushë, modernizimin e procesit të promovimit profesional për ekspertë përmes digjitalizimit, ndërtimin e ekipeve të bashkëpunimit mes profesionistëve, shoqatave dhe institucioneve, si dhe nisjen shumë shpejt të një fushate gjithëpërfshirëse vetëdisuese, domethënë të sensibilizimit, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në vendin e punës”, tha ai.
Zëvendës shefi i Misionit dhe shef i Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën e Suedisë, Henrik Riby, theksoi rëndësinë e kushteve të sigurta të punës dhe rolit të inspektoratit.
“Shumë punëdhënës sot e kanë kuptuar se mund të tërheqin dhe mbajnë stafin duke ofruar jo vetëm kushte të sigurta, por edhe përfitime shtesë si mundësi trajnimi, aktivitete sociale, udhëtime, çfarëdo qoftë. Dhe kjo po rritet shumë. Ne e shohim këtë si një trend shumë pozitiv, sepse nuk mund ta trajtosh keq punëtorin dhe të presësh që ai të prodhojë diçka. Por megjithatë ka sektorë ku kushtet e punës nuk janë vërtet në standardet e duhura dhe në vetvete janë më të rrezikshme, si sektori i ndërtimit apo minierat. Dhe kjo është një nga arsyet pse kemi edhe inspektoratin e punës. Pas çdo vendi të sigurt pune, çdo punëtori të respektuar, çdo kontrate të drejtë, qëndron një rojtar i padukshëm, dhe ai është inspektorati i punës. Por edhe viti i kaluar, 2025, na kujtoi pse ky institucion është kaq i rëndësishëm. Patëm qindra aksidente, patëm dhjetëra jetë të humbura. Siguria nuk është e garantuar kudo. Ajo duhet të përmirësohet dhe duhet të zbatohet”, tha ai.
Ai shtoi se inspektorati i punës është linjë mbrojtëse mes neglizhencës dhe jetës njerëzore, duke vlerësuar edhe përparimin në digjitalizimin e inspektimeve.
“Dhe këtu qëndron inspektori i punës, jo si një trup burokratik, por si linja e mbrojtjes midis neglizhencës dhe jetës njerëzore. Në të njëjtën kohë, kemi parë përparim të jashtëzakonshëm brenda inspektoratit. Digjitalizimi i inspektimeve i ka bërë ato shumë më të shpejta, më transparente dhe më efektive në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Kjo pasqyron një përkushtim ndaj drejtësisë dhe llogaridhënies. Dhe mendoj se inspektorati i punës është një nga inspektoratet në Kosovë që është shembull për t’u ndjekur nga çdo institucion tjetër që merret me këto çështje”, tha ai.
Koordinatori i programit të ILO-s për Kosovë, Blerim Murtezi, theksoi se përmirësimi i kushteve të punës ndikon drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit.
“Nga puna jonë në këtë fushë, në nivel global dhe nga praktikat e ndryshme ndërkombëtare, kemi mësuar një gjë shumë të thjeshtë. Kur përmirësohen kushtet e punës, përmirësohet vetë puna. Nuk ka kompromis mes sigurisë dhe produktivitetit. Ato të dyja bashkëveprojnë, domethënë nuk mundet njëra pa tjetrën. Ajo që kemi filluar me Inspektoratin e Punës është baza dhe është vetëm fillimi. Pra, nga digjitalizimi, tek trajnimin, tek mbështetja konkrete në terren. Dhe nga ILO duhet të jemi të sinqertë: nuk është diçka që mund ta bëjë një institucion i vetëm. Përmirësimi i kushteve të punës natyrisht që i takon Inspektoratit të Punës të mbikëqyrë bazën ligjore, por nuk është një institucion i vetëm që mund të garantojë sigurinë dhe shëndetin në punë. Për këtë, sepse ne mund të kemi ligje të mira, mund të kemi rregullore të mira dhe strategji të mira, por në fund të ditës nuk do e masim suksesin me ligje apo rregullore, do e masim me atë se sa po respektohet”, tha ai.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Inspektoratit Qendror të Punës, Kastriot Jashari, tha se ky institucion është i angazhuar edhe në luftimin e ekonomisë informale dhe rritjen e transparencës.
“Ne në kuadër të punës sonë, përveç mandatit ligjor të cilin po e ushtrojmë, njëkohësisht po e luftojmë në të njëjtën kohë potencialisht edhe ekonominë informale brenda për brenda subjekteve të cilët nuk respektojnë shtyllat kryesore të funksionimit ligjor. Në fakt, meqenëse jemi sot këtu në këtë donacion të rëndësishëm të ILO-s me Qeverinë Suedeze, s’mund pa e përmendur raportin që është hartuar në muajt paraprak, i cili është bërë raport model nga ILO-ja dhe që janë nxjerrë specifika reale aty të kohës ku është i publikuar në faqen zyrtare të Inspektoratit Qendror të Punës. Duke falënderuar partneritetin që kemi ne me ILO-n dhe donacionet e Qeverisë Suedeze, ne sot posedojmë si Inspektorat Qendror i Punës pajisje elektronike, tableta si dhe pajisje tjera që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së inspektorëve. Kjo ndikon drejtpërdrejt në zhdukjen ose eliminimin, reduktimin për çdo dyshim potencial të punës së inspektorit që po aq sa është e ndjeshme, duhet të jetë edhe dinjitoze përballë çdo sfide të cilën e kanë”, tha ai.






