14.5 C
Pristina
Tuesday, April 28, 2026

FOL: Ajo që ndodhi mbrëmë në Kuvend përbën rrezik për rendin kushtetues, Republika nuk mbahet vetëm me numra

Lëvizja FOL përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me mënyrën se si është proceduar me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës. Në një rend kushtetues parlamentar, zgjedhja e Presidentit nuk është një veprim i rëndomtë politik, por procedurë e veçantë kushtetuese, e cila duhet të zhvillohet vetëm në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me standardet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.

“Ajo që ndodhi vonë mbrëmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku u tentua të zgjidhej Presidenti përmes një procedure të kontestueshme te ashtuquajtur nga vetë eksponentët e shumicës si proces “karate”, përbën rrezik serioz për funksionimin normal të institucioneve dhe për vetë rendin kushtetues.

Republika nuk mbahet vetëm me numra. Presidenti nuk është pronë e një shumice të përkohshme. Presidenti është institucion i unitetit të popullit. Për këtë arsye, procesi i zgjedhjes së tij nuk mund të shndërrohet në ‘ushtrim force’, në kalkulim partiak apo në lojë procedurale. Kushtetuta nuk është instrument për t’u përdorur kur i shërben pushtetit dhe për t’u anashkaluar kur e kufizon atë.

Shkelja me paramendim dhe me qëllim e Kushtetutës përbën akt shumë të rrezikshëm dhe të paprecedent në historinë e re të Republikës. Një veprim i tillë nuk është vetëm gabim procedural; është goditje ndaj parimit se pushteti buron nga Kushtetuta dhe ushtrohet vetëm brenda kufijve të saj. Sepse ajo krijon bindjen se institucionet mund të deformohen nga brenda, se rregullat mund të lakohen sipas nevojës politike dhe se shteti mund të trajtohet si pronë e atyre që përkohësisht e qeverisin. Kjo është pikërisht arsyeja pse situata është kaq e rrezikshme: sepse normalizon idenë se Kushtetuta mund të anashkalohet kur nuk i përshtatet shumicës së momentit”, thuhet në komunikatë.

Sipas FOL,  fillimi apo vazhdimi i votimit pa praninë e së paku 80 deputetëve në sallë nuk mund të konsiderohet thjesht si çështje procedurale e brendshme e Kuvendit. Një veprim i tillë prek drejtpërdrejt rendin kushtetues, sepse synon të prodhojë pasoja juridike në mungesë të kushteve themelore që Kushtetuta kërkon për këtë proces.

Në këtë kuptim, shumica parlamentare dhe udhëheqja e Kuvendit kanë përgjegjësi të veçantë që të mos e trajtojnë Kushtetutën si pengesë teknike. Çdo procedim pa kuorumin e nevojshëm krijon precedent të rrezikshëm, dobëson parimin se pushteti ushtrohet vetëm brenda kufijve të përcaktuar me Kushtetutë dhe e fut vendin në një zonë të pasigurt institucionale.

Lëvizja FOL rikujton se demokracia nuk matet vetëm me numrin e votave që një shumicë mund t’i sigurojë në një moment të caktuar. Ajo matet edhe me gatishmërinë e asaj shumice për t’u ndalur kur Kushtetuta e kërkon këtë. Respektimi i kufijve kushtetues është kusht për legjitimitetin e çdo vendimi institucional.

Për këtë arsye, i bëjmë thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës, udhëheqjes së tij dhe të gjithë deputetëve që procesi i zgjedhjes së Presidentit të zhvillohet vetëm në përputhje të plotë me nenin 86 të Kushtetutës dhe me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Çdo shmangie nga këto standarde nuk e zgjidh krizën institucionale; përkundrazi, e thellon atë, e dobëson besimin në institucione dhe e vendos vendin përballë një kontestimi të ri kushtetues.

Kosova ka nevojë për President të zgjedhur në mënyrë të rregullt, me proces të pastër dhe me legjitimitet të pakontestueshëm. Çdo rrugë tjetër është e dëmshme për institucionet, për rendin kushtetues dhe për besimin e qytetarëve në shtet.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA