Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot do të shpallet aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve lidhur me sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, i ndodhur në shtator të vitit 2023.
Seanca e shpalljes së aktgjykimit është caktuar të fillojë në orën 15:00.
Në fjalën përfundimtare, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq. Të tre të akuzuarit kanë mohuar fajësinë për veprat që u vihen në barrë.
Ndërkohë, për Milan Radoiçiqin dhe 41 të akuzuar të tjerë, të cilët ndodhen në arrati, prokuroria kishte kërkuar gjykim në mungesë. Megjithatë, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka refuzuar këtë kërkesë si të pabazuar.
Sipas aktakuzës, 42 të dyshuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Ndërsa Milan Radoiçiq akuzohet gjithashtu për “lehtësim dhe financim të terrorizmit” si dhe “shpëlarje parash”.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se të akuzuarit dyshohet se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë kanë tentuar shkëputjen e pjesës veriore të territorit të Kosovës me qëllim bashkimin me Republikën e Serbisë, gjatë të cilit sulm ka mbetur i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe janë rrezikuar jetët e zyrtarëve të tjerë policorë dhe civilëve.






