Kosova sot është në zi në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosjes, i cili dje ndërroi jetë në moshën 90-vjeçare.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka shpallur ditën e sotme ditë zie shtetërore në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosjes.
Sipas saj, me këtë vendim, shteti shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet.
Dje është ndarë nga jeta akademiku Rexhep Qosja, varrimi i të cilit është zhvilluar në një ceremoni të thjeshtë, në praninë e anëtarëve më të ngushtë të familjes.
Sipas familjarëve, me dëshirë të të ndjerit nuk do të organizohet ceremoni pritjeje dhe familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.
“Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes. Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale”, ka theksuar nipi i tij.
Kush ishte Rexhep Qosja?
Rexhep Qosja është një nga figurat më të njohura të letërsisë, kritikës letrare dhe publicistikës shqiptare, si dhe akademik me ndikim të madh në hapësirën kulturore shqiptare.
Lindi më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Malësisë së Gucisë (sot në Mal të Zi). Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i vazhdoi në Prishtinë dhe Beograd, ku u diplomua në gjuhë dhe letërsi shqipe.
Qosja u dallua herët si studiues dhe kritik letrar. Ai ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe më pas ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e studimeve albanologjike.
Ai është autor i një numri të madh veprash letrare, studimore dhe publicistike, ku trajton letërsinë shqiptare, historinë, identitetin kombëtar dhe zhvillimet shoqërore e politike. Ndër veprat e tij më të njohura janë studimet mbi letërsinë shqipe dhe trilogjia “Vdekja më vjen prej syve të tillë”.
Përveç veprimtarisë shkencore, Qosja është i njohur edhe për angazhimin e tij publik dhe qëndrimet kritike ndaj zhvillimeve politike në Kosovë dhe më gjerë.
Ai është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe ka marrë shumë çmime dhe vlerësime për kontributin e tij në kulturën shqiptare.






