Dukagjini ka shënuar fitore ndaj Ballkanit me rezultat 3-2 në stadiumin “18 Qershori”, në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës, duke siguruar kualifikimin në finale.
Klinasit kishin fituar edhe ndeshjen e parë si mysafir bindshëm me rezultat 3-0, duke kaluar tutje me rezultat të përgjithshëm 6-2.
Elton Basri hapi serinë e golave në minutën e 25-të për Dukagjinin. Pas dhjetë minutash, Ballkani barazoi me golin e Bleart Tolajt. Në fillim të pjesës së dytë, Tolaj shënoi sërish për 2-1, duke i dhënë epërsinë Ballkanit.
Dukagjini nuk u ndal dhe arriti të barazojë rezultatin në minutën e 65-të përmes Mërgim Pefqelit. Në minutat e fundit, Dieni Isufi realizoi golin e fitores për 3-2, rezultat që mbeti deri në fund.
Me këtë fitore, Dukagjini arrin finalen e Kupës së Kosovës për herë të katërt në histori dhe do të kërkojë ta fitojë këtë trofe për herë të parë.






