Trajneri i Barcelona, Hansi Flick, synon që çështja e titullit në La Liga të mbyllet sa më shpejt, idealisht në përballjen e madhe të muajit të ardhshëm ndaj Real Madrid në El Clasico. Megjithatë, ai paralajmëron se gara ende nuk ka përfunduar dhe rivali madrilen nuk duhet nënvlerësuar.
Barcelona mban aktualisht kreun e tabelës me nëntë pikë epërsi ndaj Realit, ndërsa kanë mbetur edhe shtatë javë deri në fund të sezonit. Pavarësisht këtij avantazhi të konsiderueshëm, tekniku gjerman kërkon fokus maksimal nga skuadra e tij deri në sigurimin matematikor të titullit.
Flick theksoi se nuk ka vend për eufori dhe se çdo ndeshje duhet trajtuar me seriozitet të plotë, duke nisur nga sfidat e radhës. Ai shtoi se Real Madridi do të vazhdojë të luftojë deri në fund dhe se diferenca aktuale nuk garanton asgjë.
“Duhet të ecim hap pas hapi. E rëndësishme është ndeshja e radhës dhe pastaj tjetra. Liga nuk ka përfunduar ende dhe duhet ta fitojmë sa më shpejt”, u shpreh Flick.
Këtë javë, Barcelona përballet në shtëpi me Celta Vigo, ndërsa Real Madridi pret Alavés, në një tjetër xhiro vendimtare për garën e titullit.






