Shqetësimi ka nisur të rritet në radhët e Paris Saint-Germain pas dëmtimit të Vitinha, i cili nuk arriti ta përfundojë ndeshjen ndaj Olympique Lyon. Mesfushori portugez u largua nga fusha para fundit të pjesës së parë, pas një përplasjeje në ajër dhe një rënieje të pakëndshme në një duel me Endrick.
Sipas njoftimit zyrtar të klubit parisien, lojtari vuan nga një inflamacion në thembrën e djathtë, si pasojë e goditjes së marrë gjatë takimit. Ai do të qëndrojë nën mbikëqyrje mjekësore në ditët në vijim, ndërsa një vlerësim më i detajuar pritet në fundjavë.
Si rrjedhojë, Vitinha do të mungojë në përballjet e Ligue 1 kundër Nantes dhe Angers. Megjithatë, pikëpyetja më e madhe mbetet pjesëmarrja e tij në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich, e planifikuar për 28 prill.
Trajneri Luis Enrique u tregua i rezervuar lidhur me gjendjen e lojtarit, duke theksuar se fokusi aktual mbetet te ndeshjet e kampionatit dhe se situata do të vlerësohet me kohë.
“Na presin edhe dy ndeshje në ligë. Do të shohim me qetësi kur lojtarët e dëmtuar mund të rikthehen, por për momentin nuk kam diçka konkrete për Vitinhan”, u shpreh ai.
Tekniku spanjoll nuk dha garanci as për rolin e Fabián Ruiz si zëvendësues i mundshëm, duke theksuar se rikuperimi i tij dhe minutat e marra ndaj Lyon janë një sinjal pozitiv për ekipin.






