8.1 C
Pristina
Tuesday, April 21, 2026

Gjykata Supreme lë në fuqi paraburgimin për Pantiqin e Zariqin: Ekziston rreziku i arratisjes

Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin ndaj Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile, duke lënë në fuqi vendimet për vazhdimin e paraburgimit ndaj tyre.

Kërkesat ishin paraqitur nga mbrojtja kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, që kishin vendosur për vazhdimin e masës së paraburgimit.

“Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të paraqitura në kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, ka vlerësuar se kërkesat janë të pabazuara, pasi rezulton ekzistimi i dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, me ç’rast janë përmbushur kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Sipas këtij institucioni, ekziston rreziku që të pandehurit të arratisen nëse mbrohen në liri, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, sanksionin e mundshëm, si dhe faktin që ata janë shtetas të Serbisë dhe posedojnë dokumente udhëtimi që u mundësojnë lëvizje jashtë vendit.

“Në këto rrethana, masa e paraburgimit konsiderohet e nevojshme për sigurimin e prezencës së tyre dhe zhvillimin e rregullt të procedurës penale. Gjykata Supreme gjithashtu ka konstatuar se gjykatat e instancave më të ulëta kanë dhënë arsye të mjaftueshme dhe nuk kanë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ndërsa masat alternative janë vlerësuar si të pamjaftueshme në rrethanat konkrete”, thuhet në njoftim.

Pantiq dhe Zariq akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës shqiptare në Komunën e Istogut.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se Zariq, së bashku me pjesëtarë të forcave serbe, kanë keqtrajtuar civilë shqiptarë.

Të pandehurit nuk i kanë pranuar akuzat e ngritura ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, ata dyshohet se kanë marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare nga shtëpitë e tyre në Komunën e Istogut, si dhe në plaçkitje, djegien e rreth 5 mijë shtëpive, shkatërrimin e pronave dhe vrasjen e 260 personave, prej të cilëve 19 fëmijë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA