Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar pas një hetimi 6-mujor ka çuar në goditjen e një grupi kriminal që merrej me shitjen e drogave të forta në qytetin e Beratit.
Aksioni, i koduar “Prova”, është finalizuar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në koordinim me Prokurorinë e Beratit, me qëllim dokumentimin e aktivitetit kriminal të disa personave që vepronin në mënyrë të organizuar.
Si rezultat i operacionit, janë arrestuar tre persona, ndërsa për një tjetër është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Të gjithë të dyshuarit janë banues në lagjen “Çlirim” në Berat.
Sipas hetimeve, katër personat siguronin dhe shpërndanin lëndë narkotike, kryesisht kokainë, në doza të vogla në zona të ndryshme të qytetit.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre dhe në një automjet, policia ka sekuestruar sasi kokaine të ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje, si dhe 7 telefona celularë dhe një automjet.
Ndaj të dyshuarve rëndon vepra penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa materialet janë referuar në Prokurorinë e Beratit për procedura të mëtejshme.






