Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për çmimin dhe faturimin e rrymës, deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha se qytetarët po paguajnë një taksë që nuk ju takon dhe se gjendja në këtë sektor është shumë e rënduar.
Sipas tij, çka është arritur nga qeveria Kurti është se Kosova është e varur nga importi.
“Kemi ardhur në përfundim që qytetarët po e paguajnë një taksë jo meritore dhe se sektori energjetik është në situatë të jashtëzakonshme, të rënduar. Qeveria tash e gjashtë vite e ka menaxhuar këtë sektor me të njëjtën logjik ku shifrat e kanë treguar që është e dështuar”, tha Shala në Kuvend.
“S’ka energji të mjaftueshme për rritjen e ekonomisë tonë, s’ka energji prodhuese për të tërhequr investitorët e jashtëm, krejt çka kemi arritur nga qeveria Kurti është se Kosova është e varur nga importi”, shtoi ai.
Shala tha se përgjatë këtyre gjashtë viteve të qeverisë Kurti, çmimi i energjisë është rritur tri herë.
“Tash e gjashtë vite kemi tri herë ngritje të çmimit energjisë, dhjetëra afera korruptive, lëndë dhe aktakuza të ngritura pikërisht nga akterët e kësaj mazhorance. Kemi pasiguri energjike në furnizim. Projekte të dështuara edhe në sektorin e energjisë alternative”, tha ai.
Ai kërkoi që Qeveria të ndërpresë ndëryhrjet në “aferat e njehsorëve”.






