Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se në zgjedhjet e reja kjo parti garon e vetme, derisa shtoi se kandidat për kryeministër do të jetë Ardian Gjini, aktualisht kryetar i Gjakovës.
Ai tha se Gjini ka çka i ofron vendit, ndërsa theksoi ofertën serioze të këtij subjekti politik.
“Mandatar i AAK-së është kryetari i Gjakovës, por edhe kandidat për kryetar të partisë. Do të jem pjesë e listës. Ardiani ka çka i ofron Kosovës, është një ofertë serioze e Aleancës”, deklaroi Haradinaj para fillimit të seancës së sotme të Kuvendit.
“Shkojmë vetëm në zgjedhje”.
Kreu i Aleancës pati edhe një përgjigje për zërat që thonë se kjo parti nuk do të arrijë ta kalojë pragun nëse Kosova shkon drejt zgjedhjeve të reja.
“Të gjitha partitë politike janë të gatshme për zgjedhje, edhe ne jemi. Kemi ofertë serioze, një mandatar që ka dëshmuar që është i aftë në qeverisje. Është shkollë e politikës në Kosovë. Falënderoj të gjithë ata që na e mbajnë dertin neve, ne ia mbajmë dertin Kosovës, nuk do të ketë shqetësim për pragun, e kalojmë me siguri”, theksoi ai.






