15.7 C
Pristina
Monday, April 20, 2026

Dyshime për falsifikim dokumenti nga kompania turke dhe biznesmeni i afërt me VV’në për tenderin milionësh në Komunën e Prishtinës

Komuna e Prishtinës vitin që shkoi kishte shpallur një tender për pastrimin dhe mirëmbajtjen e lumenjve dhe kanalizimeve me qëllim që kryeqyteti të mbrohet nga vërshimet. Vlera e parashikuar e tenderit ishte dy milionë euro. Për kontratë fillimisht u rekomandua kompania me vlerën më të lartë prej 1,9 milionë eurosh. Megjithatë, pas një ankese të bërë nga kompania e Eljesah Podvoricës, të afërmit me Lëvizjen Vetëvendosje, EING COM SHPK, tenderi u rikthye në rivlerësim. Për të njëjtën kompani ekzistojnë dyshime se, në konsercium me një kompani turke, ofruan një dokument të falsifikuar.

Gazeta Insajderi iu drejtua Komunës së Prishtinës përmes qasjes në dokumente publike, duke kërkuar certifikatën e tatimit mbi të ardhurat dhe të dalat e MAVI Deniz, si dhe komunikimet me të. Kjo kompani e garoi në konsercium me EING COM SHPK. Megjithatë, nga komuna refuzuan kërkesën, duke thënë se procedura tenderuese është ende në fazën e rishqyrtimit.

“Sektori i Prokurimit ju njofton se deri ne Vendimin (B08, B09 dhe B10), kur edhe konsiderohet i mbyllur aktiviteti i prokurimit atëherë mund të ofrohet qasja për palët e interesuara“, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Megjithatë, Gazeta Insajderi ka arritur ta sigurojë këtë dokument, saktësia dhe vërtetësia e të cilit ngelet e dyshimtë. Në dokumentin e certifikatës tatimore të lëshuar nga autoritetet turke që konserciumi “MAVI Deniz & EING COM SHPK” kanë prezantuar në ofertim të tenderit, data e dokumentit figuron 22/04/2025.

“Që nga data 22/04/2025, tatimpaguesi, informacioni i të cilit jepet më poshtë, është i detyruar të paguajë brenda fushëveprimit të Nenit 22/A të Ligjit Nr. 6183. Nga shqyrtimi i të dhënave tona është kuptuar se nuk ka borxhe të kaluara“, thuhet në dokumentin që konserciumi ka prezantuar pranë Komunës së Prishtinës, të cilin e ka siguruar Insajderi.

Përmes një verifikimi që Gazeta Insajderi ia ka bërë këtij dokumenti në platformën zyrtare të Republikës së Turqisë, ka marrë vesh se ky dokument është lëshuar më 18/01/2024.

“Që nga data 22/04/2025, tatimpaguesi, informacioni i të cilit jepet më poshtë, është i detyruar të paguajë brenda fushëveprimit të Nenit 22/A të Ligjit Nr. 6183. Nga shqyrtimi i të dhënave tona është kuptuar se nuk ka borxhe të kaluara“, thuhet në sistemin elektronik të Turqisë.

Gazeta Insajderi iu është drejtuar me pyetje kompanisë MAVI Deniz për një sqarim të këtij dokumenti, megjithatë deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ndonjë përgjigje.

Eljesah Podvorica dhe drejtori i kompanisë turke, Ali Altuntor, në dosjen e tenderit kanë siguruar deklaratën nën betim, e cila specifikon edhe mundësinë e sanksioneve penale.

Kenan Gashi, ekspert i prokurimit publik, në një prononcim për Gazetën Insajderi ka bërë të ditur se kanë përpiluar një raport për këtë tender, përmes të cilit konsiderojnë se ky grup i operatorëve ekonomikë mund të kenë mashtruar Komunën e Prishtinës.

“AVONET konsideron se Grupi i Operatorëve Ekonomikë EING COM SH.P.K.; MAVI DENIZ ÇEVRE HIZMETLERI A.Ş., dhe përfaqësuesit e tyre, përmes veprimeve të sipërpërmendura, mund të kenë mashtruar Autoritetin Kontraktues, duke nënshkruar deklarata nën betim dhe duke dorëzuar dokumentacion që nuk përputhet me gjendjen faktike, duke shkelur kështu dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thotë Gashi nga organizata jo-qeveritare AVONET.

“Kërkojmë nga Komuna e Prishtinës që të verifikojë në mënyrë të plotë dhe të paanshme gjetjet e këtij hulumtimi dhe të ndërmarrë masa konkrete në përputhje me legjislacionin në fuqi, përfshirë referimin e rastit tek organet kompetente të ndjekjes penale, në mënyrë që të sigurohet zbatimi i ligjit dhe mbrojtja e interesit publik”, shtoi më tej ai.

Fillimisht, Komuna e Prishtinës me kontratë prej 1,9 milion eurove e kishte shpërblyer grupin e operatorëve ekonomikë “Diga Solutions L.L.C, Construction SHPK dhe Industria Metalike e Kosovës“, duke e vlerësuar si ofertën e vetme të përgjegjshme.

Lidhur me këtë konsercium, ankesë fillimisht në Komunën e Prishtinës kishte parashtruar kompania e biznesmenit Eljesah Podvorica. Megjithatë, ankesa ishte refuzuar nga Zyra e Prokurimit të kësaj komune.

Të njëjtat ankesa EING COM SHPK i kishte adresuar në Gjykatën e Tenderëve. Organi Shqyrtues i Prokurimit i dha të drejtë kompanisë së biznesmenit Podvorica, duke obliguar Komunën e Prishtinës që ta pezullojë aktivitetin e prokurimit.

Statusi aktual i këtij aktiviteti prokurimi është i pezulluar.

Gazeta Insajderi ka raportuar disa herë lidhur me tenderët që kompania e Podvoricës fitoi nga komunat e udhëhequra nga VV’ja.

Eljesah Podvorica jo rrallë herë është parë në shoqërinë e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në vitin 2021, deputeti i LVV-së, Sali Zyba dhe pronari, Eljesah Podvorica ishin së bashku në një vizitë në Therandë.

Dyshja shihen në një fotografi në shoqëri edhe të disa personave për rreth.

Gazeta Insajderi së fundmi raportoi edhe për një telashe në një tender të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilin e kishte fituar kompania e biznesmenit Podvorica. Bëhet fjalë për tenderin për ri-adaptim të hapësirave në ndërtesat qeveritare.

Dy kompani deponuan ankesë në Gjykatën e Tenderëve ndaj vendimit të MPB-së për të shpërblyer me kontratë kompanitë “Hexagon Construction sh.p.k.” dhe “Eing sh.p.k.”.

Sipas një ankese, oferta fituese përmbante çmime dukshëm më të larta se çmimet reale të tregut në Kosovë, duke rrezikuar buxhetin. Aty pretendohet se dëmi i mundshëm financiar mund të kalojë mbi 500 mijë euro.

“Në shumë pozicione çmimet janë të dhjetëfishuara krahasuar me çmimet reale të tregut në Kosovë”, thuhet në ankesë, ku theksohet se një praktikë e tillë bie ndesh me parimin e ekonomicitetit dhe vlerësimit të ofertës më të favorshme“.

Ankesa rendit një sërë shembujsh konkretë të dallimeve drastike të çmimeve.

Për shembull, demolimi i laminatit është ofertuar me 10 euro për metër, ndërkohë që çmimi real në treg është rreth 1 euro.

Po ashtu, demolimi i dyerve është ofertuar me 50 euro për njësi, ndërsa në treg kushton vetëm 10 deri në 15 euro. Dallime të mëdha vërehen edhe në punimet e brendshme.

Demolimi i tepisonit është ofertuar me 12.25 euro për metër, krahasuar me 1.5 deri në 2 euro në treg, ndërsa furnizimi dhe montimi i tepihut është ofruar me 40 euro për metër, ndonëse çmimi real sillet rreth 15 deri në 20 euro.

Një tjetër shembull është montimi i plafonit të lëshuar, i cili është ofertuar me 40 euro për metër, ndërsa kostoja reale totale në treg nuk e kalon 10 euro. Edhe suvatimi është ofertuar me 20 euro për metër, krahasuar me rreth 5 euro në treg.

Në ankesë përmenden edhe çmime të fryra për pajisje dhe instalime elektrike.

Po ashtu, një rast i theksuar është ai i montimit dhe demontimit të kondicionerëve, ku për një njësi janë ofertuar gjithsej 400 euro, ndërsa çmimi real në treg është rreth 80 deri në 90 euro.

Përveç çmimeve të larta, dokumenti ngre dyshime edhe për mospërputhje logjike në ofertë, si në rastin e dyerve, ku dimensionet më të vogla janë ofertuar më shtrenjtë se ato më të mëdha.

Kjo kompani ka fituar miliona nga tenderët që ka marrë vazhdimisht në Komunën e Podujevës që udhëhiqet nga LVV. /Insajderi.org/

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA