13 C
Pristina
Wednesday, April 15, 2026

Me Projektligjin e ri për Energjinë, shteti mund të ndërhyjë kur tregtarët abuzojnë me çmimin e energjisë elektrike

Projektligji i ri për Energjinë, i cili tashmë ka kaluar në qeveri dhe komisione parlamentare, i hapë rrugë ndërhyrjes nga shteti në rast të krizave dhe në rastet kur konstatohet se tregtarët e energjisë kanë abuzuar me çmimin e energjisë elektrike.

Kjo është një praktikë e re që nuk haset në ligjin aktual për energjinë elektrike. Deri tani, çështja e përcaktimit të çmimit të energjisë elektrike ka qenë në kompetencë ekskluzive të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE). Me këtë projektligj kompetencat kalojnë edhe te Ministria e Ekonomisë, e cila mund të ndërhyjë vetëm në raste të caktuara kur vlerësohet se janë shkelur të drejtat e konsumatorëve.

Nenin 22 i këtij projekligji i jep shtetit kompetenca të drejtpërdrejta për të ndërhyrë në treg, kur interesi publik vihet në rrezik.

Ky nen rregullon të ashtuquajturin “Obligim i Shërbimit Publik”, duke i lejuar autoritetet që t’u vendosin detyrime kompanive të energjisë për të garantuar furnizim të sigurt, cilësor dhe me çmime të përballueshme.

Ligji parashikon që në situata të caktuara, si krizat energjetike apo rreziku për furnizim – shteti mund të imponojë masa të jashtëzakonshme.

Këto masa mund të përfshijnë edhe ndërhyrje në çmimin e energjisë elektrike.

“Rregullatori ose Ministria në rastet e përcaktuara në paragrafin 11 të këtij neni, në përputhje me kërkesat dhe kushtet e paragrafit 1 të këtij neni mund të vendos obligimin e shërbimit publik drejtpërdrejtë ndaj një ndërmarrjeje të energjisë, jashtë procedurave të rregullta, kur kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për mbrojtjen e interesit të përgjithshëm publik, përfshirë edhe masa që lidhen me çmimin e furnizimit me energji elektrike, në përputhje me këtë ligj dhe Ligjin përkatës për Energjinë Elektrike”, thuhet në këtë nen.

Kjo masë mund të merret gjatë krizës energjetike të shpallur sipas dispozitave të këtij ligji dhe Ligjit përkatës për Energjinë Elektrike, si dhe në çdo situatë që kërkon reagim të menjëhershëm për të parandaluar rrezikimin e sigurisë së furnizimit.

“Kurdoherë që është e përshtatshme dhe e nevojshme, Rregullatori ose Ministria në rastet e përcaktuara në paragrafin 11 të këtij neni mund të vendosin obligimin e shërbimit publik për një ndërmarrje të energjisë e cila është përzgjedhur si Furnizues i Shërbimit Universal siç përcaktohet në Ligjin përkatës për Energjinë Elektrike”.

Një tjetër element i rëndësishëm i këtij ligji është garantimi i furnizimit universal. Kjo do të thotë se asnjë konsumator nuk duhet të mbetet pa energji elektrike, edhe nëse nuk është ekonomikisht “fitimprurëse” për kompanitë.

Përmes këtij mekanizmi, ligji synon të mbrojë veçanërisht kategoritë më të cenueshme – familjet me të ardhura të ulëta dhe komunitetet në zona të largëta.

Neni 22 kërkon që çdo obligim i vendosur ndaj kompanive të jetë i qartë, transparent dhe jodiskriminues. Kjo synon të parandalojë abuzimet dhe të sigurojë që ndërhyrjet e shtetit të mos favorizojnë operatorë të caktuar në treg.

Aktualisht, ky projektligj ka kaluar në Komisionin për Ekonomi të Kuvendit dhe pritet të dalë në seancë për miratim nga deputetët.

Sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ligji synon të rrisë mbrojtjen e konsumatorëve dhe të përafrojë sektorin me standardet e Bashkimit Evropian.

Rizvanolli tha se projektligji i ri është më i qartë dhe më i detajuar se ai aktual, duke vendosur theks të veçantë te të drejtat e konsumatorëve.

“Ndryshe nga ligji aktual, që është hartuar në përputhje me pakon e tretë të energjisë dhe vendos vetëm rregullat bazë për organizimin dhe funksionimin e sektorit, ky projektligj i ri, përveç që mbulon çështjet ekzistuese, ka në fokus kryesor të drejtat dhe mbrojtjen e konsumatorit, duke sqaruar më mirë çështje konkrete që janë me shumë interes për qytetarët dhe bizneset. Ky projektligj ka karakter kornizë dhe përcakton parimet dhe strukturën e përgjithshme të sektorit të energjisë, ndërsa rregullimi i detajuar i aktiviteteve specifike zhvillohet përmes ligjeve sektoriale dhe akteve nënligjore të miratuara nga institucionet kompetente. Pra, një nga këto ligje specifike që e përmenda është edhe ai për energjinë elektrike, të cilin do ta pranoni sot si Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ky ligj është i hartuar në përputhje me acquis të Bashkimit Evropian dhe transpozon pjesërisht Direktivën për rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm të energjisë elektrike, Rregulloren për tregun e brendshëm të energjisë elektrike dhe Rregulloren BE mbi qeverisjen e Unionit të Energjisë dhe veprimit për klimën”, tha ajo.

Në anën tjetër, diskutimi për këtë çështje në Komisionin për Ekonomi është shoqëruar me kritika nga deputetët e opozitës, të cilët kanë thënë se projektligji kërkon centralizim të kompetencave dhe cenim të rolit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE)./Buletini Ekonomik

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA