Caktimi i datës 15 prill për intervistimin e kandidatëve për bordin e RTK-së u shoqërua me kundërshtime nga opozita në Komisionin Ad hoc për bordin e RTK-së.
Opozita tha se data duhet të caktohet për javën e ardhshme.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu në një intervistë për Ekonomia Online u shpreh se intervistimi i kandidatëve po bëhet me qëllim me një afat të përshpejtuar për qëllime udhëheqjeje nga LVV në këtë bord.
“Siç e patë edhe ju, edhe ishit pjesë e këtij komisioni, këta po tentojnë që ta anashkalojnë çdo procedurë, domethënë jashtë çdo standardi po tentojnë që t’i kapin bordin e RTK-së edhe të KPM-së. Dhe unë nuk bëhem pjesë e një maskarade të tillë, e thashë edhe në komision. Krejt çka kemi kërkuar ne është që të respektohen procedurat. Kuvendi nuk ka filluar me ta. Ata, shumica e anëtarëve të komisionit, kanë qenë edhe më herët deputetë dhe i dinë procedurat. Ata qëllimisht po i anashkalojnë të gjitha procedurat thjesht për me i kapë bordin e RTK-së dhe bordin e KPM-së.
Ne i kemi rreth 100 kandidatë në të dy bordet që i kemi me i intervistuar. Saktësisht 70 i kemi për bordin e RTK-së dhe 30 i kemi për KPM-në. Domethënë llogarite tash, 100 kandidatë në mënyra të përshpejtuara. Nuk ka kapacitete komisioni në mënyrë të përshpejtuar sepse nuk është e nevojshme asnjë nguti. Krejt çka kemi kërkuar ne është që të caktohet intervista, të mbahet të hënën, të martën, të mërkurën dhe derisa të përfundojë. Këta po kërkojnë me fillua nesër, që është e mërkurë, pastaj me ndërpre atë që kemi seancë parlamentare, dhe me vazhdu të premten. Ka shumë gjasa që edhe të premten do të kemi seancë parlamentare dhe prapë na duhet me i ndërpre intervistat”, tha Musliu.
Musliu tha LVV po tenton ta “kap” bordin e RTK-së dhe KPM-në.
“Dhe në momentin kur ti i merr të mërkurën disa kandidatë në intervistë, pastaj pauzon tri-katër ditë, ajo është pabarazi ndaj kandidatëve dhe është shkelje e të drejtave të kandidatëve të cilët janë në konkurs. Dhe si anëtare e këtij komisioni, kam kërkuar që të respektohen rregullat bazë, që është minimalisht tri ditë punë përpara me i njoftuar kandidatët, me u përgatit kandidatët, së pari psikologjikisht për me ardhë në komision.
E mos flas tani edhe profesionalisht. Nuk mundesh ti sot me marrë vendim që ata nesër në ora 09:00 me ardhë në komision në intervistë. Por, fatkeqësisht, ata e kanë arrogancën e numrave. Na kanë mbivotuar edhe po na mbivotojnë, po marrin vendime qysh po dojnë vetë, jashtë rregullave të Kuvendit, jashtë procedurave, jashtë rregullores. Çdo gjë e bëjnë qysh atyre iu konvenon. Dhe synimi i tyre konkret është me e kap bordin e RTK-së dhe me e kap edhe KPM-në dhe pastaj me kriju diktat edhe anarki në të gjitha institucionet e vendit. Dhe unë jam kundër këtij regjimi. Nuk mundemi ne në këtë formë, duke degraduar çdo proces, me vazhdua tutje. Krejt çka kemi kërkuar është respektim i rregullave bazë të konkursit. Nuk mundesh ti qysh t’i marrësh direktivat dhe urdhrat nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes me ardhë me na i imponu neve në komision”, thotë ajo.
Musliu tha se në emër të PDK-së nuk do të hesht dhe se do ta ngrisë zërin kundër parregullsive.
“Ne gjatë ditës do të konsultohemi edhe një herë faktikisht, dhe thjesht si Parti Demokratike, aty ku unë jam përfaqësuese e Partisë Demokratike, nuk do të hesht asnjëherë duke e ngritur zërin kundër parregullsive. Këto komisione janë krijuar në mënyrë të parregullt dhe kanë funksionuar në mënyrë të parregullt gjatë gjithë kohës dhe po vazhdojnë edhe tutje, dhe unë jam kundër parregullsive. Thjesht si Parti Demokratike do ta japim qëndrimin tonë në momentin e duhur. Vetë fakti që sot është ora afër 12:00 dhe nesër në ora 09:00 janë ftuar për intervistë, kjo tregon që nuk janë as 24 orë përpara që të përgatitemi për ato intervista. E thashë edhe një herë, kemi material voluminoz, kemi 100 kandidatë në dy borde. Dhe kjo është e papranueshme. Nuk ka nevojë, sepse nuk është përgjegjësi e askujt tjetër vetëm e partisë në pushtet që i ka zvarritur bordet deri tash dhe i ka lënë të pakompletuara. Dhe nëse kanë pritur gjashtë muaj a një vit, pse mos me pritur edhe dy ditë, tri, deri të hënën? Shkojmë të hënën, në mënyrë të rregullt, mbas procedurave, pa shkëputje i intervistojmë dhe e kryejmë procesin. Pse kjo nguti? Sepse dëshirojnë ta imponojnë mënyrën e vet të punës dhe t’i kapin institucionet. Është arrogancë numrash komplet. Aktualisht jemi të pafuqishëm që t’i ndalim këto procese të dëmshme, por po shpresoj shumë që shumë shpejt do të shkojmë në zgjedhje dhe qytetari i Republikës së Kosovës do t’ua tregojë vendin”, theksoi deputetja.
Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj për Ekonomia Online tha se partia në pushtet dëshiron që të ketë persona në krye të RTK-së që janë nga kjo parti.
“Po, ky proces duhet të jetë transparent, ku respektohet dinjiteti dhe integriteti i të gjithë kandidatëve. Dhe kur ka transparencë të plotë edhe në evidentimin e këtij procesi apo mbarëvajtjes së procesit, po mbi të gjitha sigurisë dhe barazisë në intervistë. Partia në pushtet dhe shumica nuk e dëshirojnë këtë. Dëshirojnë që ky proces të shkojë vetëm sa për sy e faqe dhe të ketë individë, sigurisht të përzgjedhur të pushtetit, për të vazhduar kapjen e Radio Televizionit të Kosovës. Këtë nuk mund as ta pranojmë, por as nuk dëshirojmë të jemi pjesë e saj, por do ta ngrisim në të gjitha nivelet e mundshme edhe kundërshtimet tona në aspektin demokratik të këtij procesi”, theksoi deputeti.
Zemaj tha se intervistimi duhet të jetë transparent dhe i barabartë për të gjithë kandidatët.
“Po, intervistimi së pari duhet të jetë një mundësi e barabartë për të gjithë kandidatët. Dhe kur fillon procesi, nuk duhet të ndërpritet procesi. Dhe insistimi im është që të kemi një proces kur fillon dhe kur përfundon, dhe ku barazia në kohë, në mundësi, në pyetje-përgjigje t’u jepet të gjithë kandidatëve në mënyrë të barabartë. Kjo nuk u pranua fatkeqësisht dhe dëshironin që të fillonin menjëherë intervistimin pa iu dhënë mundësinë e njoftimit të plotë të gjithë kandidatëve, dhe pa u evidentuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë edhe me materialet, por edhe me kushtet dhe kriteret që i plotëson çdo kandidat për këtë garë zgjedhore”, shtoi tutje Zemaj.
Intervista ndaj kandidatëve do të mbahet nga ora 09:00 gjatë ditës së nesërme.






