13.3 C
Pristina
Thursday, April 9, 2026

Kriza me çmime të naftës, Bajrami akuzon Qeverinë për abuzim ndaj qytetarëve: Shfrytëzim i krizës për mbushje të buxhetit

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për mosveprimin ndaj çmimeve të naftës, duke e quajtur këtë “abuzim ndaj qytetarëve”. Ajo tha se çmimi i naftës u rrit menjëherë pas lajmit për mbylljen e ngushticës së Hormuzit, por nuk ra kur bursat ndërkombëtare regjistruan ulje si pasojë e arritjes së armëpushimit SHBA-Iran.

“Në momentin që u raportua për mbylljen e ngushticës së Hormuzit, çmimet në Kosovë u rritën menjëherë, por kur situata dje u qetësua dhe çmimet ranë në bursë, tek ne mbetën të njëjtat. Pra, për t’u rritur çmimi mjafton një lajm por për t’u ulur, duhet ‘kohë’. Kjo nuk është logjikë tregu, ky është abuzim ndaj qytetarëve”, tha Bajrami.

Ajo kritikoi masat e Qeverisë për vendosjen e tavanit të çmimit dhe theksoi mungesën e vullnetit për të mbrojtur qytetarët.

“E vërteta është që kjo situatë po tolerohet nga Qeveria, e cila në vend që të mbrojë qytetarët, po e shfrytëzon krizën për të mbushur buxhetin. Kemi thënë vazhdimisht: kjo nuk zgjidhet me marzha e çmime tavan që nuk kontrollohen dot. Problemi është shumë më i thellë: mungesë vullneti për të ulur taksat, mungesë menaxhimi dhe mungesë analizë të të dhënave. Sot, nuk ka as të dhëna bazike: Sa naftë ka në tregun vendor kur rriten çmimet? Me çfarë çmimi është importuar dhe a po shitet më shtrenjtë?”, tha ajo.

Bajrami tha se Qeveria duhet të dijë saktësisht stoqet e naftës dhe çmimin e importit, të dhëna që ekzistojnë në Doganë, por nuk përdoren në vendimmarrje.

“Kjo do të thotë se vendimet nuk bazohen në të dhëna, por në reagime të vonuara dhe selektive. Ndërkohë që Qeveria vendos marzhat dhe garanton fitimin për tregtarë, refuzon të ulë TVSH-në dhe akcizën, dy komponentët kryesorë të çmimit. Sa më i lartë çmimi, aq më shumë para mbledh shteti. Sot, për çdo litër naftë, buxheti merr 13–15 cent më shumë taksa sesa para krizës. Ky është ‘fitimi’ i Qeverisë nga kriza”, tha ajo.

Deputetja propozoi disa masa për stabilizimin e çmimeve: raportim ditor për stokun dhe çmimin e importit, reflektim real i çmimeve në kohë, ulje e TVSH-së dhe akcizës.

“Nafta është burim inflacioni. Nëse nuk e stabilizon çmimin e saj menjëherë, çdo ndihmë pas inflacionit vetëm e ushqen këtë të fundit. Po një gjë duhet të dihet qartë se problemi nuk është mungesa e mjeteve për reagim, problemi është mungesa e vullnetit”, përfundoi Bajrami.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA