7.8 C
Pristina
Thursday, April 9, 2026

Misioni historik drejt fundit, astronautët e Artemis II po kthehen nga Hëna: Gjërat e mira po i sjellim me vete

Ekuipazhi i misionit Artemis II është në rrugën e kthimit drejt Tokës, pasi përfundoi me sukses fluturimin historik rreth Hënës, duke shënuar një nga arritjet më të rëndësishme në eksplorimin hapësinor në dekadat e fundit.

Siç shkruan BBC, katër astronautët në bordin e anijes “Orion” pritet të ulen në Oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të San Diegos, mbrëmjen e së premtes.

Gjatë udhëtimit të kthimit, ata kanë ndarë me publikun emocionet dhe përvojat e këtij misioni unik, duke theksuar se kanë mbledhur shumë materiale dhe histori që do të publikohen pas rikthimit.

Piloti i misionit, Victor Glover, u shpreh se mezi presin të ndajnë me botën ato që kanë parë.

“Kemi shumë më tepër foto dhe histori për të treguar. Të gjitha ‘gjërat e mira’ po i sjellim me vete në Tokë.”, u shpreh ai.

Misioni Artemis II vendosi gjithashtu një rekord të ri për distancën më të madhe të përshkuar nga njerëzit në hapësirë, duke kaluar kufirin prej 400 mijë kilometrash nga Toka, një rekord që mbahej që nga viti 1970 nga Apollo 13.

Gjatë fluturimit, astronautët kaluan edhe nga ana e largët e Hënës, një zonë që nuk shihet kurrë nga Toka. Edhe pse kjo pjesë është fotografuar më parë nga satelitët, ekuipazhi i Artemis II ishte i pari që e pa drejtpërdrejt, duke vëzhguar krateret gjigante dhe fushat e lavës.

Menjëherë pas fluturimit, presidenti Trump foli me ekipin “Orion” dhe i përgëzoi: “Sot keni bërë histori dhe keni bërë gjithë Amerikën shumë krenare.”

Një nga momentet më të veçanta për ekuipazhin ishte periudha prej 40 minutash kur humbën kontaktin me Tokën. Sipas komandantit Reid Wiseman, kjo kohë u shfrytëzua për vëzhgime shkencore të rëndësishme, por edhe për reflektim personal.

Astronautët ndanë gjithashtu momente emocionale gjatë misionit. Wiseman tregoi se u prek thellë kur një krater në Hënë u emërua me emrin e bashkëshortes së tij të ndjerë, ndërsa Christina Koch theksoi se ajo që do t’i mungojë më shumë nga kjo eksperiencë është bashkëpunimi dhe shoqëria mes ekuipazhit.

Pas kthimit, astronautët do të përballen me fazën më kritike të misionit: hyrjen në atmosferën e Tokës me shpejtësi shumë të lartë dhe uljen në oqean, një proces që do të testojë teknologjinë e kapsulës dhe sistemet e sigurisë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA